Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 16:22

Elbasan: – Është promovuar sot në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit botimi më i ri, Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe, nga gjuhëtarët Ali Dhrimo dhe Rami Memushaj.

Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe, me rreth 75.000 fjalë, botohet mbas rreth 34 – vjetësh, kur në vitin 1976 u botua fjalori i parë Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe.

Sipas gjuhëtarit Rami Memushaj, “40 vjet mbas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), dhe 34 vjet pas hartimit të të parit fjalor drejtshkrimor të shqipes (1976), nevoja e hartimit të një fjalori të ri drejtshkrimor erdhi duke u bërë gjithnjë e më e domosdoshme”.

Fjalori rreh të pasqyrojë në mënyrë sa më të plotë atë pasurim dhe shpërthim të gjuhës shqipe në të gjitha stilet, gjinitë, sidomos në këto 20 vitet e fundit, që është arritur falë punës së lëvruesve të shqipes dhe të përkthyesve.

Sipas Memushajt, “ky fjalor është një libër që duhet të ndodhet në tryezën e atij që shkruan, pasi botimi pasqyron se çfarë është arritur në njësimin e normës së gjuhës shqipe që nga viti 1972 e deri në ditët tona, në fushën e fonetikës, gramatikës dhe drejtshkrimit”.

Dy autorët e fjalorit kanë punuar rreth tre vjet e gjysmë për hartimin e tij, pasi, siç u shpreh Memushaj, pasqyrimi i leksikut të shqipes në fjalorët normalë është i pamjaftueshëm.

“Botimi i këtij fjalori me rreth 75.000 fjalë është një ndihmesë e jona në pasurimin e leksikut të shqipes”, përfundon Memushi.

Promovimi i fjalorit u zhvillua në sallën e konferencave të fakultetit të Gazetarisë, në prani të studentëve si edhe pedagogëve të gjuhës së universitetit “Aleksandër Xhuvani”.