Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 15:26

Durrës – Violinisti Florian Vlashi, në krye të formacionit orkestral “Shekulli XX”, ishte protagonist i dy shfaqjeve të pazakonta muzikore në skenat spanjolle. Koncerti është përgatitur për Festivalin Moxartin, që organizohet çdo vit në Korunja (Spanjë), qyteti ku instrumentisti durrsak është “akredituar” nga viti 1992.

Dy shfaqjet paraprake, në vigjilje të koncertit të 20 qershorit në Korunja, u organizuan në qytetet Ferrol e Karvalo dhe bashkë me muzikën e shkollës vieneze kanë përcjellë imazhe të mrekullueshme të fotove, si dhe janë shoqëruar nga lëvizjet e kërcimtarëve e aktorëve që kanë ilustruar më së miri veprat e njohura artistike.

Në koncertet e organizuara në qytetet spanjolle, violinisti shqiptar Florian Vlashi, i cili intepreton edhe si solist, ka përzgjedhur katër vepra nga Johan Shtraus (biri) (1825-1899), si dhe dy krijime muzikore nga Arnold Shoenberg (1874-1951).

“Florian Vlashi ka një aftësi të mahnitshme të krijojë programe, në të cilat kënaqësia intelektuale është pasojë e kombinimit të muzikës me projektimin e fotove apo me kërcimin e valltarëve”, shkruan këto ditë kritiku Andrade Malde Julio në gazetën “Opinion”.

“Tingujt e formacionit muzikor janë të bukur, si për cilësinë e transkriptimit dhe për vlerat interpretative. Disa prej akteve muzikore janë të ilustruara me piktura nga Klimt”, shkruan Andrade.

Instrumentistët Dorothea Nicholas, Raymond Arteaga, Ruslana Prokopenko, Ayako Zemba dhe Yulia Konarzeëska, së bashku me aktorët Jesús Quiroga, Eva Faraldo dhe Ana Belén Ferreiro, nën drejtimin e dirigjentit dhe solistit shqiptar, kanë fituar duartrokitjet e publikut pjesëmarrës, mjaft i interesuar për koncertet e këtij formacioni.

Violinisti 48 – vjeçar, Florian Vlashi, nga viti 1992 punon në orkestrën sinfonike të Galicisë (Spanjë) dhe zhvillon një veprimtari të ngjeshur koncertore edhe si solist, edhe si drejtues i grupit instrumental “Shekulli XX”. Në repertorin e këtij ansambli, vitet e fundit kanë hyrë dhe veprat e autorëve shqiptarë, si Thoma Gaqi, Hajg Zaharian dhe Edmond Buharaja. Formacioni i formuar prej tij në vitin 1996 është pjesë e Festivalit Moxartian, që në këtë edicion shtrihet në 26 mbrëmje gjatë muajve maj dhe qershor 2011.

Florian Vlashi është formuar si artist në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit dhe më tej ka vazhduar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë. Nga viti 2003, ai organizon çdo dy vjet në Durrës veprimtarinë “Netët e muzikës klasike”.