Lajme Shqip Monday, 19 October 2015 18:55

Në mesin e fotografive që dokumentojnë ngjarje të rënda lufte – vetura e shtëpi të djegura, e deri tek trupat e pajetë – portreti i një djaloshi ia kishte mbushur sytë me lot producentit e regjisorit Jeff Bowden.

Qëndrimi sikur të ishte “një i rritur” i djaloshit kosovar e kishte lënë pa fjalë. Dëshmitare e këtij reagimi do të bëhej vajza e tij Gracie, e cila edhe i kishte sugjeruar të shkonte në ekspozitën e hapur në galerinë “War Photo Limited” në Dubrovnik. Mes fotografive të ekspozuara aty ishte edhe fotografia e djaloshit kosovar, që ishte realizuar nga fotoreporterja e ndjerë franceze Alexandra Boulat.

Ishte viti 2007, kur Bowden po qëndronte në Kroaci për pushime. Tre vjet më vonë, vajza e tij fotografinë që e kishte fascinuar në ekspozitë do t’ia bënte dhuratë. Ai e kishte vendosur në kornizë dhe për një kohë e kishte mbajtur në zyrën e tij. Deri në vitin 2013, kur do të merrte një vendim të prerë: do të nisej për në Kosovë, në kërkim të djaloshit. E gjithë kjo histori u bë shkas që ai të niste realizimin e një dokumentari.

Duke bërë bashkë historinë e luftës në Kosovë, punën e fotoreporteres franceze dhe procesin e kërkimit të djaloshit, “A Single Frame” vjen si testament i fuqisë së fotografisë dhe idesë se çdo jetë është e vlefshme. Tashmë është publikuar një përmbledhje se çfarë sjell dokumentari që më 31 tetor do të ketë premierën botërore në “Austin Film Festival 2015”. Festivali i cili mbahet mes datave 29 tetor dhe 5 nëntor në Austin të Texasit këtë vit organizon edicionin e tij të 22-të dhe cilësohet si shumë i rëndësishëm për skenaristët e filmit artistik dhe atij dokumentar.

“Kurrë nuk e harrova këtë djalosh”, thotë Bowden në një video të shkurtër që paralajmëron dokumentarin.

“Duhet të dija se çfarë kishte ndodhur me të”.

Ndërsa në faqen zyrtare të dokumentarit shkruhet se gjatë kohës kur Bowden po bënte kërkime për të gjetur djaloshin, ishte duke menaxhuar një kompani të patundshmërive. Para saj ai ishte redaktor dhe kolumnist në “D Magazine”, në revistën e qytetit të Dallasit.

Aty thuhet se në vitin 2005 ai u bë producent dhe regjisor i dokumentarit “Get Back to Dirt”, që u shfaq nga “Fox”. Tani është duke punuar në një dokumentar që ka të bëjë me lidhjet e tij me një qytet të vogël në Sicili, që ishte shkatërruar nga tërmeti i vitit 1968. Ai është producent ekzekutiv i “A Single Frame”, i cili vjen nën regji të Brandon Dickersonit.

Por Bowden nuk është producenti i vetëm në këtë dokumentar. Kur erdhi në Kosovë, ai gjeti ndihmë tek producenti i përgjithshëm i Kohavisionit, Dardan Selimaj, dhe tek producenti e regjisori Biroll Urcan.

“Jam takuar me Jeff Bowden në Prishtinë. Më kërkoi nëse do të mund t’i asistoja në gjetjen e një djaloshi nga fotografia që mbante në duar, e realizuar në luftën e vitit 1999 në Kosovë. Kështu nisi ky rrugëtim dhe kështu u bëra pjesë e këtij udhëtimi me Jeffin, Birollin, si dhe një grup njerëzish që u mblodhën për të bërë të mundshme gjetjen e këtij djaloshi”, ka thënë Selimaj, tek ka treguar se ideja për dokumentarin do të vinte më vonë. Bowden do të shkonte përtej zbulimit të rrëfimit për jetën e djaloshit të fotografisë.

“Dokumentari trajton fuqinë e fotografisë, shpalos luftën përmes syrit të qelqtë dhe vjen si dedikim për fotografen e njohur Alexandra Boulat, e cila fatkeqësisht nuk jeton më”, ka thënë Selimaj. E Boulat ishte fotografe franceze e lindur në Paris. Në vitin 2001, ajo bashkëthemeloi “VII Photo Agency”, një agjenci ndërkombëtare e cila sot përfaqëson 19 fotografë, të cilët kanë mbuluar ngjarje të rëndësishme globale që nga vitet ’70. Fotografitë e saj janë publikuar në shumë revista dhe gazeta, përfshirë “Times”, “Newsweek”, “Paris Match” dhe “National Geographic”. Boulat ka marrë shumë çmime para vdekjes së saj të hershme.

“A Single Frame” sjell edhe rrëfime të miqve e kolegëve, të cilët e vlerësojnë punën e saj të guximshme.

“Një prej gjërave më të rëndësishme rreth Alexandras ishte dedikimi që kishte për punën”, thotë fotoreporteri Ron Haviv, i cili për shumë vjet bashkëpunoi me Boulatin.

Pjesë e kastës janë edhe Selimaj e Urcan, të cilët njëherësh shpalosin një pjesë të historisë së vendit.

“Jam pjesë e kastës së dokumentarit, mirëpo bashkë me Birollin jemi pjesë e ekipit të ndihmësve të producentit ekzekutiv Jeff dhe producentes kryesore Ginger Sledge”, ka thënë Selimaj.

“A Single…” sjell fotografi të kampeve të refugjatëve ku strehoheshin kosovarët, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe forcat serbe, por njëherësh edhe video që sjellin pjesë të luftës në Bosnje.

Ky dokumentar, edhe pse ka në fokus luftën e fundit në Kosovë, trajton edhe një pjesë të historisë së Ballkanit. Detaje të tilla në dokumentar shpalosen nga ish-gazetari e sociologu Dukagjin Gorani. Ai flet për trazirat në Slloveni dhe Kroaci e më pas edhe për luftën në Bosnjë-Hercegovinë, që ishte cilësuar “spastrim etnik”.

“Më pas erdhi Kosova. Në Kosovë ishte qasje tjetër, që e bëri të dallonte nga Bosnja. Nuk kishte më të bënte me spastrim etnik në një enklavë, por në tërë Kosovën”, thotë Gorani në dokumentar.