Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 16:55

Dibër – Në Qendrën e kulturës në Dibër sonte fillon edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoni” i cili do të zgjasë deri më katër korrik. Festivalin do ta shpall të hapur kryetari i komunës Argëtim Fida, ndërsa të parët do të prezantohen aktorët nga teatri “Istref Begolli” nga Peja, me shfaqjen “Vëlla për vëlla, kosin me dollarë”, në regji të Ahmet Jakupit.

Deri më katër korrik, publiku do të ketë mundësi të ndjek një pjesë të produksionit të pasur të teatrove profesionistë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

Në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit në vend se dy do të shfaqet një shfaqje në gjuhën maqedonase, edhe atë drama “Maratonistët vrapojnë rrethin e fundit” të teatrit të Prilepit “Vojdan Çernodrinski”, me regji të Kiril Petrevskit.

Në mbrëmjet e tjera të festivalit do të shfaqen teatrot nga Tirana, Prishtina, Durrësi, Fieri, Tetova dhe nikoqiri Dibra.

Për çdo shfaqje do të jepet kritikë për shfaqjen, ndërsa festivali do të përfundojë me ndarje të çmimeve për regji më të mirë, shfaqje më e mirë, aktor dhe aktore më i mirë, ndërsa për herë të parë këtë vit pushteti lokal do të ndajë edhe çmim për vepër jetësore.

Jurinë profesionale do ta kryesojë regjisori Ahmet Jakupi.

Konstruksioni financiar arrin katër milionë denarë, të cilat janë siguruar nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, pushteti lokal, kompania ELEM etj.