Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 09:56

Dibër – Në Qendrën e kulturës, në Dibër, nga data 28 qershor e deri më 4 korrik, do të mbahet edicioni i dhjetë i festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoni”.

Në festival do të shfaqen dhjetë shfaqje nga teatro profesioniste nga Maqedonia, Kosova dhe nga Shqipëria. Festivali do të hapet me shfaqjen “Vëlla për vëlla, kosin me dollarë”, në regji të Ahmet Jakupit, në performansë të teatrit nga Peja, informoi drejtori i festivalit, Ylber Nuredini.

Sipas Nuredinit, në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit do të shfaqen edhe dy shfaqje në gjuhën maqedonase, njëra është “Maratonistët vrapojnë në rrethin e fundit” të teatrit të Prilepit “Vojdan Çernodrinski”, ndërsa e dyta e Teatrit popullor të Manastirit.

Për çdo shfaqje do të jepet kritikë për shfaqjen, ndërsa festivali do të përfundojë me ndarje të çmimeve për regji më të mirë, shfaqje më të mirë, aktor dhe aktore më i/e mirë, ndërsa për herë të parë këtë vit pushteti lokal do të ndajë edhe çmim për vepër jetësore.

Jurinë profesionale do ta kryesojë regjisori Ahmet Jakupi.

Konstruksioni financiar arrin katër milionë denarë, të cilat janë siguruar nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë dhe pushteti lokal.