Lajme Shqip Tuesday, 21 July 2015 10:14

Çmimi në Jerusalem në kategorinë “Fryma e lirisë” e çon në dhjetë numrin e trofeve që ka marrë filmi që shtjellon historinë e një mësueseje, e cila trazon fshatin kur deklaron për mediet e huaja se ishte përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, i bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është shpërblyer në “Jerusalem Film Festival”, shkruan sot Koha Ditore.

Festivali ka mbajtur edicionin e vet të 32-të midis datave 9 e 19 të këtij muaji. Sipas përshkrimit në ueb faqen zyrtare, përtej kontributit që ka dhënë në kinematografinë izraelite, ky festival “mbetet një nga disa prej platformave që prezantojnë trendet më të mira kinematografike botërore para audiencës lokale”. Në këtë festival janë shfaqur filma të regjisorëve si Wong Kar Ëai, Tsai Ming-liang, John Sayles, Jim Jarmusch, Stephen Frears, Spike Lee, Quentin Tarantino, Neil Jordan, John Lasseter etj.

Ky është çmimi i dhjetë që merr ky film në festivalet ndërkombëtare.
Shkumbin Istrefi, producent i filmit “Tri dritare dhe një varje”, ka thënë se ky çmim është i një rëndësie të madhe.
“Sepse vjen nga një festival i rëndësishëm, i cili mban edicionin e vet të 32-të, vjen nga një juri serioze dhe së fundi dëshmon që vlerat e këtij filmi janë të pakontestueshme”, ka thënë Istrefi.

Në kategorinë “Spirit of Freedom”, “Tri dritare…” – që në qershor u shfaq edhe në Beograd në hapjen e festivalit “Mirëdita, Dobar dan”- ka qenë në garë me 11 filma të tjerë nga vende të ndryshme.
Në film luajnë aktorët Irena Cahani, Luan Jaha, Mirjana Karanoviq, Donat Qosja, Aurita Agushi etj