Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 16:30

Tiranë – Shkrimtarja dhe publicistja amerikane Cate Lineberry pas vizitës në vendin tonë për të mësuar më shumë në lidhje me strehimin në Shqipëri të ushtarëve amerikanë pas rrëzimit të një avioni në nëntor të vitit 1943, është larguar me dëshmi të reja që e kanë surprizuar.

Në një intervistë për ATSH-në, Lineberry tregon eksperiencën e vizitës së saj në Berat, në vendin ku u rrëzua avioni, kontaktin e saj të drejtpërdrejtë me mikpritjen e shqiptarëve për të cilën kishte lexuar dhe zbulimet e reja.

Avioni C-53 me 30 ushtarë amerikanë ra në verilindje të Beratit, në nëntor të vitit 1943. Partizani i parë që i ndihmoi amerikanët ishte Kristaq Stefa, ndërsa Hasan Gina e shumë të tjerë i strehuan ata, duke rrezikuar kështu, veten dhe familjet e tyre për ndihmën e dhënë këtij grupi që kërkohej nga gjermanët.  Ushtarakët amerikanë e shpëtuar nga shqiptarët u kthyen në bazën e tyre pas 9 javësh qëndrimi në Shqipëri.

Shkrimtarja ka kohë që bën kërkime në lidhje me ngjarjen në arkivat amerikane, angleze dhe gjermane, ndërkohë që nuk mund të shkruante librin e saj për këtë ngjarje pa vizituar edhe Shqipërinë. “Në luftën e tyre për të shpëtuar, ekipi ka marrë ndihmë të jashtëzakonshme nga një pjesë e vogël oficerësh britanikë dhe amerikanë, si dhe shqiptarë të panumërt që rrezikuan jetët e tyre dhe ato të familjeve të tyre. Pa këta burra dhe gra, amerikanët kurrë nuk do të kishin shpëtuar gjallë”, shkruan Lineberry në sinopsin e librit që po shkruan “Shpëtimi sekret”.

Pas vizitës së saj në Shqipëri, Lineberry shprehet e kënaqur për interesin e treguar për këtë histori të harruar prej kohësh dhe këtë eksperiencë që kaloi në vendin tonë.

-Çfarë ju ka shtyrë të bëni kërkime për këtë ngjarje dhe ku janë fokusuar ato?
Kjo histori më ka intriguar për shumë arsye. Është një histori mbijetese, këmbënguljeje, bujarie dhe heroizmi në kushte shumë të vështira. Është gjithashtu një vështrim mbi jetën e njerëzve të zakonshëm amerikanë, britanikë dhe shqiptarë dhe atë që ata duruan dhe mposhtën gjatë luftës. Veçanërisht me impresionoi fakti që pjesë e grupit që u rrëzua ishin edhe 13 infermiere. Në një kohë kur roli i gruas në shoqëri ishte i limituar, këto gra u bënë pjesë e një operacioni evakuimi të ri mjekësor dhe rrezikuan jetën e tyre për të ndihmuar në trajtimin e njerëzve të lënduar në vijën e parë.

Unë u intrigova edhe nga mikpritja popullit shqiptar, i cili kishte aq pak gjëra gjatë luftës, por që u dha shumë të huajve që kishin nevojë për ndihmë. Harold Hayes, i mbijetuari i vetëm nga ajo ngjarje, që ka mbetur gjallë nga 30 amerikanë, më ka treguar se shqiptarët që i ndihmuan qëndronin të uritur vetëm që amerikanët të hanin. Ai është gati 90 vjeç dhe është shumë mirënjohës për popullin shqiptar, për çfarë ata bënë për të. Ai më dha një letër falënderimi për Presidentin Bamir Topi. Ishte një nder për që isha pjesë e kësaj eksperience dhe gjithashtu është nder që munda të sjellë në vëmendje këtë histori.

– Çfarë keni zbuluar deri tani?
Kam pasur mundësi të mësoj shumë për situatën në Shqipëri gjatë luftës dhe për këtë ngjarje nga kërkimet në arkivat amerikane, britanike dhe gjermane. Kam intervistuar gjithashtu gjatë edhe mjekun Harold Hayes në shtëpinë e tij si dhe kam lexuar kujtimet e shkruara nga disa të mbijetuar. Unë kam intervistuar edhe shumë nga fëmijët e amerikanëve dhe shqiptarëve të përfshirë në këtë histori. Pothuajse të gjithë kanë qënë të gatshëm të tregonin histori, fotografi dhe artikuj rreth kësaj ngjarjeje.

– Çfarë keni mësuar për shqiptarët gjatë punës suaj?
Kisha lexuar në lidhje me mikpritjen e popullit shqiptar gjatë kërkimeve të mija, por tani e pashë atë vetë nga afër. Kudo ku udhëtuam nëpër Shqipëri, njerëzit hapën shtëpitë e tyre dhe me dëshirë ndanë me ne kujtimet e tyre. Kur shkuam në një nga fshatrat pranë Gjirokastrës, takuam një burrë 84 vjeçar, i cili i kujtonte amerikanët mirë dhe na tregoi ku kishin qëndruar. Ai menjëherë na ftoi në shtëpinë e tij, ku biseduam dhe pimë raki. Kjo ishte një eksperiencë e fuqishme për mua të takoja dikë që kishte qënë pjesë e ngjarjes. Burri dukej njëlloj i ngazëllyer që fliste me ne.

Kur shkuam në fshatrat afër vëndit ku ishte rrëzuar avioni patëm të njëjtën përvojë. Dy burra të moshuar dhe familjet e tyre na ftuan të uleshim me ta dhe pinim një gotë raki dhe të ndanin me ne historinë e tyre. Është diçka që unë kurrë nuk do ta harroj.

– Çfarë ju ka surprizuar më shumë nga gjithë kjo histori?
Unë jam e kënaqur që kaq shumë njerëz janë interesuar për këtë histori, e cila, e cila ka qënë pothuajse e harruar prej kohësh.