Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 12:58

Bazel – Poeti Vehbi Skënderi është ndarë nga jeta dje në moshën 84-vjeçare, derisa po kurohej në spitalin Bazel Landit në Zvicër,  ku jetonte prej vitit 1996.

Në spitalin e Zvicrës ai u shtrua mëngjesin e datës 11 qershor, ku në momente e fundit të jetës pati pranë gruan, vajzën Elida Buçpapaj dhëndërrin dhe nipat. Familja e lirikut Vehbi Skënderi, duke e njoftuar më hidhërim për humbjen e njeriut më të dashur, i fton të gjithë t’i bashkohen në lutjet që poeti Vehbi Skënderi të gjejë prehjen e përjetëshme në parajsë.

Poeti Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës, në maj të vitit 1927, në familjen e një kleriku të lartë. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939, ndërsa në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë.

Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës me komandant Haxhi Lleshin, ku iu mbijeton dy plagosjeve.

Më 1953 botoi librin e parë poetik, “Këngët e para” dhe prej atëherë ka botuar librat poetikë “Vjersha” (1958), “Fletë nga ditari im” (1964), “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), “Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura Kolana e poezisë shqipe” (1973), “Kumbojnë vitet” (1983), “Nxitoj” (1987), “Bëjmë sikur” (1995), “Hëna e vjedhur” (2000), “Zvicra Shqipëria ime” (2004).

Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966 poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja. Mes tjerash Vehbi Skënderi është prezantuar në një antologji të poetëve të botës, botuar në Zagreb në vitet ’60. Vëllimin e fundit, “Mirëmëngjes, Shqipëri Lirika të një tetëdhjetëvjeçari”, i cili ndodhet në dorëshkrim, poeti Vehbi Skënderi e përfundoi në fillim të vitit 2009.

Bashkëpunimin me shtypin Vehbi Skënderi e fillon tek gazeta “Arma e Mbrojtjes”. Shkrimi i tij i parë, që gjen jehonë të veçantë, ishte ai i botuar më 1945 tek “Bashkimi” me titullin “Myfiti”, ku bën portretin dhe historinë e një çami nga Filati.

Në vitet 1949-1953 ishte redaktor në revistën “Miqësia me Gjovalin Lukën”, ndërsa në vitet 1955- 1956 në revistën “Hosteni” me Spiro Çomorën. Në vitet 1956-1959 ika punuar korespondent special në të përditshmen “Bashkimi”, ndërsa nga viti 1960 deri në vitin 1967 punoi në revistën “Ylli”, ku ishte gazetar dhe anëtar i kolegjiumit. Në vitet 1972-1974 ai ishte redaktor i poezisë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.

Veprimtarinë publicistike Vehbi Skënderi mundi ta rifillonte vetëm pas vitit 1992, me rrëzimin e diktaturës, pasi në ato vite ai përjetoi persekutimet më të rënda.