|
|
e Diel, 23 Shtator 2012 18:17 Prishtinë – Baleti Kombëtar i Kosovës ka shënuar 40-vjetorin e themelimit, në një ceremoni në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku u kujtua rrugëtimi në katër dekada i këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.
Në ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe personalitete të fushës së artit nga vendi dhe bota, ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, vlerësoi se Baleti Kombëtar i Kosovës është pjesë e kthesave të mëdha për Kosovën, lindur në kohë përpjekjesh për liri dhe barazi.
“Mendjet tona sot pashmangshëm shkojnë tek të gjithë ata që për kaq vite i kanë dhuruar publikut emocione të mëdha dhe kanë pasuruar artin dhe kulturën në vend. Vërtetë është për t’u çmuar puna e tyre në ato kohëra të vështira”, u shpreh ai.
Ministria e Kulturës ka ndarë një çmim mirënjohje për drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, për punën që ka bërë që nga hapat e parë të Baletit, e sidomos në periudhën e pasluftës.
Mbrëmjen e djeshme, Trupa e Baletit të Kosovës ka dhënë për publikun shfaqjen “Dasma” të koreografit turk Mehmet Ballkan.(LajmeShqip.com)