Lajme Shqip Sunday, 20 September 2015 08:48

Historia për emrat e qyteteve të Shqipërisë, që i bartin vajzat dhe djemtë nga Kosova, do të shpaloset në Vjenë të Austrisë.

Nëpërmjet këtij projekti të vitit 2013, me titull “My name their city” dhe atij “Window Seat” të vitit 2007, artisti kosovar, Alban Muja, do të prezantohet në panairin e artit bashkëkohor “Vienacontemporary”, shkruan sot Koha Ditore. Krejt kjo do të zhvillohet krahas prezantimit të projektit “Brotherhood” në panairin tjetër të artit, po ashtu në kryeqytetin austriak, “Parallel Vienna”.

Të pranishmit në “Vienacontemporary”, që do të mbahet për katër ditë nga 24 shtatori, do të mësojnë se si është portretizuar ideja e bashkimit të trojeve shqiptare nëpërmjet emrave të qyteteve të Shqipërisë që u janë vënë fëmijëve në Kosovë në vitet ’70 dhe ’80. Projekti që shpalos ëndrrën kosovarëve dhe projeksionet e tyre për një vend që s’ishte lehtë të vizitohej, bashkë me “Windows Seat” do të zënë vend bashkë me veprat e artistëve të ftuar nga 99 galeri të 25 shteteve të mbarë botës.

“Zakonisht ftohen galeritë që organizatorët mendojnë se janë të rëndësishme dhe pastaj galeritë i ftojnë artistët me të cilët bashkëpunojnë”, ka thënë artisti Alban Muja, i cili bashkë me Matej Andrazh Vogrinçiç dhe Jasmina Cibiq është ftuar nga galeria “Škuc” e Lubjanës në Slloveni.

“Galeria ‘Škuc’ më ka ftuar edhe mua në mesin e tre artistëve që të prezantohem në këtë panair, që ka edhe anën komerciale, ku vijnë edhe koleksionistë dhe blejnë punime”, ka thënë Muja, i cili kohëve të fundit ka qenë goxha aktiv me projektet e tij si në Kosovë dhe jashtë saj. Projekti tjetër “Window Seat”, i cili do të shpaloset në ngjarjen kulturore, ku do të ketë edhe punëtori e ligjërata të artistëve, është projekt që shpalohet në 20 vizatime të konceptuara gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Përshtypja ime e parë për Shtetet e Bashkuara ishte krijuar në 10 mijë metra lartësi, kur kam shikuar kontinentin si një punë artistike”, është përshkrimi që i bën muaj kohës kur kishte ideuar projektin. Kompozicionet që i kishte shikuar nga karrigia pranë dritares së avionit, Muja i kishte hedhur në letër nëpërmjet lapsit. Tutje, pamjet e hapësirave urbane i kishte vizatuar si kompozicione abstrakte.

“Herë pas here shihja format e abstraksionit ekspresiv, përderisa shfaqeshin edhe ato të abstraksionit gjeometrik”, shpjegon Muja. E në “Parallel Vienna”, i cili do të hapet në ditën e 23-të të këtij muaji, ai do të shpalosë “Brotherhod”. Të njëjtin Muja do ta prezantojë para të pranishmëve në ngjarjet që do të mbahen gjatë katër ditëve të këtij panairi. Projekti i këtij viti nëpërmjet vizatimeve paraqet pozicionin artistik të shoqërive moderne në kontekstin gjeopolitik. Projekti i Mujës nëpërmjet ndërtesave shpërfaq traditën mashkullore që manifestohet me simbolikën e shtëpive ku të gjithë vëllezërit me shtëpi të njëjtë formojnë një lagje.

“Tregohet fenomeni i fuqisë mashkullore dhe rëndësia e figurës së babait, dhe, në anën tjetër, projekti tenton të shpërfaqë figurën e femrës që nuk përfshihet në shoqëri. Ky fenomen nuk është i ri dhe tregon traditën e trashëguar në gjenerata”, është përshkrimi që i bën projektit Tevz Logar, kurator në galerinë “Škuc” në Lubjanë.

“Në ‘Parallel Viena’ jam ftuar individualisht, ku do të prezantohet projekti ‘Brotherhood’, që përbëhet nga tri projekte në pikturë”, ka thënë Muja.