Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 14:53

Tiranë – Arkeologu Richard Hodges, i cili që prej vitit 1993 ka punuar në Butrint, ua dërgon një mesazh të gjitha institucioneve përkatëse që të bashkëpunojnë në krijimin e një vizioni për zhvillimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Hodges, autor i librit “Butrinti i Përjetshëm”, një përshkrim i zhvillimit të Butrintit, mbështetur në dëshmitë arkeologjike, shoqëruar edhe me ilustrime, ishte i pranishëm dje në promovimin e librit në Hotel “Rogner”.

“Kam 20 vjet që vizitoj Shqipërinë dhe institucionet e kësaj fushe në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë për zhvillimin e trashëgimisë kulturore shqiptare”, tha Hogdes.

“Butrinti i Përjetshëm” vjen në shqip, pas origjinalit në vitin 2006 në anglisht, dhe sjell një tablo plot hollësi të kësaj qendre arkeologjike, pjesë e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s, që është banuar më së paku që prej shekullit të VIII para Krishtit.

Përgatitja e Planit të Menaxhimit të Butrintit, ringritja e Muzeut si dhe një sërë projektesh për nxitjen e një turizmi të qëndrueshëm, mbajnë të gjitha vulen e drejtorit shkencor të Fondacionit Butrinti, Richard Hodges.

Gjatë prezantimit të librit, Hodges tha se në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë të vendit janë dy sfida të rëndësishme për mbrojtjen e Butrintin.

“Butrinti është i rëndësishëm sepse krijoi model zhvillimi të turizmit kulturor në Shqipëri. Ky model duhet të respektohet me qëllim që të respektohet edhe krijimi i këtij Parku që në themelimin e tij”, tha arkeologu Richard Hodges.

Ndësa sfida e dytë, që sipas tij, është edhe më e vështirë, ka të bëjë me krijimin e një vizioni në lidhje me arkeologjinë shqiptare, drejtimin e saj në 10 vitet e ardhshme. “Do sugjeroja një diskutim të gjërë për të përcaktuar se ku do të shkojë arkeologjia shqiptare dhe trashëgimia kulturore në 10 vitet e ardhshme”, tha Hodges.

Arkeologu që ka kontribuar në studimin dhe ruajtjen e qendrës arkeologjike të Butrinti, tha se kjo qendër është një nga vendet më të bukura të botës dhe për këtë i përket pasurisë botërore. “Si arkeolog ndihem i privilegjuar që kam punuar në Butrint. Është privilegj sepse Butrinti është mikrokozmosi i historisë mesdhetare. Ai ka një vend të pakrahasueshem në arkeologjinë mesdhetare dhe do të ketë në vazhdim”, tha Hodges.

Ai u shpreh edhe në lidhje me të ardhurat që vijnë nga turizmi në Shqipëri dhe që ato të jenë në shifrat të larta, specialistë e fushës, arkeologët, etj duhet të ofrojnë një rrjet të trashëgimisë kulturore sa më cilësore për turistët.

Libri ilustrohet me piktura nga udhëtarët, si Edëard Lear, me fotografi të arkeologut italian, Luigi Ugolini, me arkiva të kohës së komunizmit, të rinxjerra në pah, si dhe me dokumentacionin e Fondacionit Butrinti.