|
|
e Martë, 28 Shkurt 2012 13:48 Tiranë- Dhënia me qera e monumenteve të kulturës në vend ka ngjallur debate mes specialistëve, disa prej të cilëve vlerësojnë këtë nismë si të vlefshme për rijetëzimin e monumenteve dhe të tjerët mendojnë që kjo nismë do të dëmtonte monumentet e kulturës.
Arkeologu Neritan Ceka, u shpreh se kjo politikë e re ka të bëjë me partneritetin shtet-privat ose shtet-komunitet ku privati do të jetë prezent, por nuk do ta privatizojë monumentin. “Do të respektohen të gjitha vlerat e monumenteve, ato nuk do të preken, ndërkohë që kontratat do të jenë të përkohshme”, tha Ceka.
Sipas arkeologut, njëkohësisht këshilltar i Kryeministrit Sali Berisha për kulturën dhe trashëgiminë kulturore, kjo është një nismë e qeverisë Berisha, të cilën vetë kryeministri e ka lançuar si një ide në funksion të zhvillimit të turizmit në vend.
“Nuk bëhet fjalë për privatizim, nisma është keqinterpretuar nga politizimi i problemit”, u shpreh Ceka duke deklaruar se edhe në seancën e djeshme dëgjimore të Forumit për mbojtjen e trashëgimisë kulturore në Komisionin e Medias, kjo çështje është politizuar nga organe të PS-së. Sipas Cekës, ishin thirrur njerëz që nuk janë ekspertë të fushës.
Arkeologu u shpreh për ATSH-në, se kjo nismë do të funksionojë edhe në bashkëpunim me komunitetin duke përmendur këtu projektin për krijimin e një hapësire pranë Kalasë së Petrelës. Aty do të krijohet një Park Arkeologjik i cili nuk do të jetë në administrim nga MTKRS, por nga komuna.
“Bazuar në këtë nismë do të ketë më tepër organizma në mbrojtje të monumenteve, qoftë nga institucionet shtetërore, komuniteti, apo private i cili rast pas rasti do të ftohet, por sipas kritereve të mirëpërcaktuara”, tha Neritan Ceka.
Në vijim të partneriteteve, arkeologu Ceka përmendi edhe partneritetin me komunitetet ortodokse e katolike, që do të marrin në administrim kishat, ndërkohë që shteti, sipas Cekës, do të vazhdojë të kujdeset për vlerat artistike të tyre.
Një nga shqetësimet që Forumi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shprehu dje në Komisionin e Medias ishte mungesa e aftësisë tek privati për ruajtjen e vlerave kulturore të monumenteve, të cilat janë unike dhe të parikuperueshme.
Në lidhje me këtë, arkeologu Ceka tha se pretendimi që privati nuk është i përgatitur, është një pretendim naiv dhe keqdashës për sa kohë që privati administron biznese apo banka të nivelit të dytë në vend. “Nuk jemi në fillimet e kësaj nisme. Që prej 10 vitesh janë dhënë Kalaja e Lëkursit, apo e Petrelës të cilat nuk janë dëmtuar dhe janë shfrytëzuar në mënyrë korrekte”, tha Ceka.
Nga ana tjetër, Forumi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e konsideron dhënien me qera të monumenteve të kulturës, si një nismë që dëmton këto monumente dhe identitetin e kombit.
Kjo nismë e Institutit të Monumenteve të Kulturës parashikon që subjektet private mund të marrin në përdorim objektet e trashëgimisë kulturore për t’i mirëmbajtur dhe për të ushtruar me to aktivitet fitimprurës. IMK ka një listë të rreth 40 objekteve kulturore dhe që pritet të përfundojë, pas miratimit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.