Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 13:34

Tiranë – Fundjava e artit në Kuvendin e Shqipërisë u çel me ekspozimin e pikturave të Arbër Morinës dhe nën tingujt e flautistes Dorela Ujkana.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cilësoi artin e Morinës si piktura të poetit të penelit dhe tha se ai do të jetë një nga artistët dhe piktorët më në zë të këtij shekulli.

“Vitet e gjata të ekperiencës dhe studimit akademik, Arben Morina me pikturat e tij, i ka ndërthurur me ballafaqime të rëndësishme në kryeqendrat e kulturës, jo vetëm të Italisë, por edhe  të Europës në tërësi”, tha Topalli.

Kryeparlamentarja u shpreh se piktori shquhet si një portretist i jashtëzakonshëm, në krijimet e të cilit sheh edhe gëzimin, edhe dhimbjen, që bashkëjetojnë shumë mirë me njëra tjetrën.

“Padyshim që në të gjithë pikturat ka një thellësi shpirtërore, përpiqet që të luajë me atë që është misterioze në botën e gjithësecilit; përpiqet të kapë tradiconalen dhe e gërsheton bashkë me modernen”, tha Topalli.

Piktori Arben Morina tha se kjo ekspozitë në Parlament përbën një shkëndijë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të artit dhe kulturës.

Emra  të njohur të artit pamor, në përshëndetjet e tyre, vlerësuan pikturën e Arben Morinës, si një burim frymëmarrje dhe rilindjeje. Ekspozitën e ndoqën me interes të veçantë personalitete të njohur të artit dhe kulturës, deputetë, si dhe intelektualë të fushave të ndryshme.