Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 09:57

Tiranë – Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit çon projeksionet e filmave nga kinemaja e tij në zonat turistike të Shqipërisë për pushuesit dhe turistët e huaj. Kalendari veror ka filluar që në datën 18 qershor, kur në Lukovë të Sarandës është shfaqur dokumentari i Ibrahim Muçaj “Iso Polifonia”, mbi kryeveprën e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Projeksionet do të bëhen në vende të hapura, me një shtrirje nga Saranda në Shëngjin e deri më në lindje, Strugë apo Ohër. Redaksia ka zgjedhur për shfaqje një kinema në përgjithësi jo impenjative, por të lehtë e të këndshme, siç i shkon stinës verore.

AQSHF ka parashikuar jo vetëm filma artistik me metrazh të gjatë, por edhe me metrazh të shkurtër, dokumentarë, spote ilustrative, etj. Disa nga filmat që do të shfaqen janë: “Busulla” i Bujar Alimanit, “Shkallët” nga Ilir Harxhi, “24 orëshi i një 10 mijë lekshi” nga Redi Treni, “Ngushtë” nga Xhoslin Rama, “Ne dhe Lenini” nga Saimir Kumbaro, etj.

Qëllimi i projeksioneve është t’u ofrohet një mundësi më shumë pushuesve të mbushin ditët e tyre të pushimit me aktivitete kulturore dhe informuese si edhe të plotësojë kuadrin e informacionit historik në qytetet turistike si Berati apo Pogradeci.

AQSHF do të “shëtis” projeksionet fundjavave, deri në 28 gusht, në Himarë, Vlorë, Orikum, Tushemisht, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Shëngjin, Ohër e Strugë.