Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 19:00

Athinë – I patrembur si një luan, dinak si një dhelpër, tinëzar si gjar për, i ashpër si hienë, i etur për gjak si ujk, hakmarrës si deve, i durueshëm si gomar, i shpejtë dhe largpamës si shqiponjë, epshor si majmunët – në haremin e vet kishte treqind femra – përparimtar si pasanikët e rinj dhe sfidues, por dhe paragjykues, si një plakë, mosbesues dhe dyshues, por dhe naiv dhe që shpesh besonte lehtë…” 

Kështu na përshkruhet Ali Pashë Tepelena në librin e Spiro Melës, akademikut grek, e në vitin 1958 kryetar i Akademisë së Athinës. Nën titullin “Luani i Epirit-Ali Pasha dhe Suli”, botimi u promovua dje në Bibliotekën Kombëtare në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit, 23 prillit. Në aktivitet morën pjesë ministri i Kulturës, Visar Zhiti, studiuesi Moikom Zeqo dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari. Drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi, tha se monografia historiko-letrare është nga rrëfimet më mbresëlënëse kushtuar figurës emblematike të Ali Pashës dhe historisë së tij të gjatë, për të cilin autori shkruan që në krye. “Shekulli i tetëmbëdhjetë, mbase dhe ai i nëntëmbëdhjetë, nuk arritën të afirmojnë, nga Adriatiku deri në Detin e Zi, një figurë historike më mbresëlënëse, më të fuqishme, më të komplikuar dhe më enigmatike se ajo e Ali pashë Tepelenës”, tha ajo. Autori i kësaj monografie, Spiro Mela (lindur 1882 dhe ndarë nga jeta më 1966 në moshën 83-vjeçare) ka qenë anëtar i Akademisë së Athinës që prej vitit 1935, madje që prej 1958 ai është zgjedhur në krye të saj. Ai është autor i disa librave të tjerë kushtuar figurave të mëdha, që bënë pavarësinë e Greqisë dhe ngjarjeve të rëndësishme që i paraprinë kësaj periudhe.
Ali Pasha sipas Spiro Melës…
Ali Pashë Tepelena arriti që, nga një hajdut ordiner kafshësh, i turpëruar, i përbuzur dhe që ndiqej për t’u kapur kundrejt një dëmshpërblimi, të mbulonte me emrin e tij Shqipërinë, Epirin, Morenë, Thesalinë, Greqinë Kontinentale, Maqedoninë, gjithë Ballkanin dhe t’ia impononte këtë emër kryeqyteteve të Europës Perëndimore dhe Lindore! Një tip aventurieri i përmasave të mëdha dhe të paimagjinueshme, ky ishte Ali pashë Tepelena. Nga një njeri pa asnjë kacidhe – siç na thotë poeti i tij, nuk kishte në xhep asnjë “gjashtëdhjetëshe”, pra as gjashtëdhjetë para – arriti të grumbullonte thesare të panumërta, që ende edhe sot ngjajnë si përrallë të blinte pashallarë dhe vezirë, të paguante spiunë dhe vrasës të panumërt, të trembte sulltanë brenda vetë sarajeve të tyre, të mbante në këmbë një oborr të tërë perandorak, të armatoste ushtri, të bënte fushata të mëdha dhe rrethime. Fshatar i pagdhendur dhe i pashkollë, arriti të bëhet zot absolut i një pjese mbizotëruese të një perandorie të fuqishme, të qeveriste popuj, të trondiste frone sundimtarësh, të futej me planet më të guximshme në lojën e madhe të diplomacisë europiane, të gënjente Napoleonin dhe të godiste francezët, të luante me Anglinë dhe Rusinë, ashtu siç luante me gurët e tespiheve të tij… 

Ishte një figurë që mbetej e ngulitur thellë në mendjen e çdokujt që e shihte. Me kokë të madhe, ballë të lartë, vetulla të dendura, sy bojë qielli, shikim depërtues dhe dinak, gojë të gjerë, që kur buzëqeshte ngrinin në vend të gjithë sa ishin rrotull tij, sepse me këtë buzëqeshje Aliu vuloste gjithmonë dënimin me vdekje të ndonjë armiku apo miku të tij të rrezikshëm. Dhe kishte çuar në vdekje kaq e kaq veta, duke filluar që nga njerëzit e tij të afërt! Kokat e tyre do të mund të formonin një rresht të tërë piramidash Keopsi. Rruga mbresëlënëse e tij drejt pasurisë, fuqisë dhe lavdisë, ishte e shtruar me kufoma të panumërta. Vriste për të hequr qafe një pengesë që i kishte dalë përpara, që të fitonte një tribunë, për t’u mbrojtur, për të trashëguar, për të garantuar diçka që kishte fituar, disa herë madje, vetëm për t’u dëfryer… I patrembur si një luan, dinak si një dhelpër, tinëzar si gjarpër, i ashpër si hienë, i etur për gjak si ujk, hakmarrës si deve, i durueshëm si gomar, i shpejtë dhe largpamës si shqiponjë, epshor si majmunët – në haremin e vet kishte treqind femra – përparimtar si pasanikët e rinj dhe sfidues, por dhe paragjykues, si një plakë, mosbesues dhe dyshues, por dhe naiv dhe që shpesh besonte lehtë, intrigant, pa miq dhe me dy fytyra, ai ishte si një forcë natyrore, e shqetësuar dhe vullkanike, që tronditi nga themelet pushtetin në zotërimet europiane të perandorisë turke, zbuloi pafuqinë e saj, pa dashje përgatiti revolucionin e grekëve dhe vetëm me aktivitetin e tij ndryshoi rrjedhën e historisë në këtë rajon të botës. 

Por gjithashtu: brenda kësaj force të pamposhtur natyrore ekzistonte një ndërgjegje primitive, e pagdhendur, e turbullt – por një ndërgjegje e cila përjetonte një dramë të thellë njerëzore. 

“Biri im, – i thoshte një ditë Pukëvilit, konsullit francez në Janinë, teksa e kishte mbërthyer një melankoli e pafund, – nuk kam më fuqi mbi ato që kanë kaluar. Derdha kaq gjak, saqë dallgët e tij më përndjekin, nuk guxoj ta kthej kokën mbrapa. Ndoqa fatin dhe ai më mbuloi me dhurata. Dëshirova pasuri, fuqi, ndere, saraje, salltanete, të gjitha i shijova. Teksa kujtoj kasollen e tim eti ndërkohë që jetoj në këtë pallat që shkëlqen nga ari, tashmë do të duhej të gjendesha në majat e lumturisë. Njerëzit mbeten gojëhapur duke parë pasuritë e mia. Këta shqiptarë që më puthin këmbët, e urrejnë Aliun e lumturuar. Por nëse do të dinin se sa më kanë kushtuar këto ndere e salltanete, shpirti i tyre do të më mëshironte. Po, jam për t’u mëshiruar! Prindër, miq, të gjithë i sakrifikova për të realizuar ambiciet e mia. Mbyta madje dhe vetë zërin e natyrës. Këtyre që më rrethojnë u kam vrarë familjet. Në fytyrat e tyre shoh krimet që kam bërë dhe dalloj rreziqet që më kanosen!” 

Janina dhe Epiri i detyrohen atij për lulëzimin dhe lumturinë e tyre, por është vetë Aliu, ai që u mbylli dyert kaq e kaq shtëpive dhe detyroi familje të panumërta të vishen në të zeza. 

Krijues si Pjetri i Madh, po aq i ashpër dhe barbar, por dhe dinak si Meterniku. Dhe nuk i mungonte asnjë prej veseve të tmerrshme dhe të neveritshme që i kanë faturuar Neronit. 

Ai përfaqësonte tiranin, frikën, tmerrin dhe shkatërrimin për të gjithë ata që i prisnin rrugën, me dashje apo pa dashje, me dijeninë e tyre apo duke mos ia pasur fare idenë. Fati i zi i priste të gjithë ata mbi të cilët drejtohej vështrimi i tij i rëndë. Smira dhe dyshimi i tij godisnin si rrufe, të cilat bien gjithnjë në majë dhe godasin të gjithë ata, koka e të cilëve del mbi lartësinë e zakonshme. Por atë kohë, shteti i tij ishte rajoni i vetëm i Turqisë ku kishte rend, siguri, aty ku “ujku luante me qengjin dhe bilbili me qokthin”, ashtu siç këndonte, duke i thurur lavde administrimit të mirë dhe begatisë, Haxhi Shereti në “Alipashadën” e tij. Legjendë u bë madhështia e tij. Dhe të gjithë ata që i shkruajnë, të gjithë ata që i flasin, luten për fatin e tij – Perëndia t’i falë jetë të gjatë! Asnjeri nuk e mendon, sepse asnjeri nuk e sheh, ankthin e fatit të vet. Në morinë e telasheve të përditshme dhe të mëdha, dhe të netëve pa gjumë, ai kujton: nga vrasja në vrasje, nga tradhtia në intrigë, nga pabesia në dredhi, kështu ai i ngjiti shkallët e ofiqeve, një e nga një. Por sa më lart që ngjitej, aq më shumë rrëshqiste prej gjakut të derdhur, ishte e pamundur të mbahej diku, duhej të kryente krimin e radhës për të mos u rrëzuar. Dhe armiqtë e tij, aty ku binte njeri, ngriheshin dyfish dhe trefish, athua se ishin si kokat e kuçedrës që vrau Herkuli. Dhe çdo herë ishte e pamundur të shpëtonte pa kryer një krim të ri dhe çdo krim që kryente e sillte atë më afër shkatërrimit të pashmangshëm, ashtu si fundi i një tragjedie.(GSh/BW/LajmeShqip.com)