Lajme Shqip e Hënë, 23 Korrik 2012 20:38

Paris- Ali Podrimja, është kujtuar sot nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në një mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së tij në Paris.

Zëri i Aliut përmes poezisë, ishte krejtësisht origjinal, zë që më se pesë dhjetëvjetësha diti të skaliste qenësinë e qëndresës dhe të mbijetesës së popullit të tij, duke afirmuar kombin shqiptar, kulturën dhe shpirtin e tij edhe në suaza ndërkombëtare. Kështu u tha në mbledhjen komemorative të organizuar nga Akademia e Shkencave. Me këtë rast, kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami, duke folur para të pranishmëve, theksoi se Ali Podrimja jetoi dhe punoi për Kosovën dhe lirinë e popullit të saj, për idealet dhe objektivat e tij.

Ai tha se ky poet i madh i këndoi Kosovës dhe shqiptarëve, dhembjes, vuajtjeve e sakrificave, por edhe shpresave të tyre dhe në këtë pikë mbeti i pakapërcyeshëm. Ali Podrmija do të mbetet një poet i madh, ngase tërë jetën ia kushtoi idealit të tij poetik dhe intelektual. Duke folur për jetën dhe veprën e poetit Ali Podrimja, akademik Rexhep Ismajli tha se është një humbje e madhe për miqtë, kolegët dhe familjarët, me të cilin çdo ditë bisedonin, shkëmbenin ide, prej të cilit dëgjonin, një refleks, merrnim një nxitje, shijonin një varg a një thënie. Sipas tij, kontaktet me poetët e mëdhenj, siç ishte Ali Podrimja, njerëzit i jetojnë përmes librave. Trupi i pajetë i shkrimtarit Podrimja, pritet të kthehet të mërkurën në Kosovë. Ndërsa, në ditën e varrimit në  ambientet e Akademisë do të bëhen homazhe. Ali Podrimja, njihet si një nga poetët më të shquar shqiptar, ndër librat e tij më me zë janë “Lum Lumi”, poezia “Udhëtimi me Ujq”, pastaj “Gjaku im që nuk falet” etj. Për një kohë ka punuar si lektor në Rilindja. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Ai ndërroi jetë javën e kaluar, derisa po merrte pjesë në Festivalin e poezisë “Voix de la Méditerranée” në Paris të Francës.

Gjithashtu ,që prej ditës së djeshme Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i bën homazh poetit Ali Podrimja duke ekspozuar rreth 70 vepra nga fondi i tij.  Sipas burimeve nga Biblioteka Kombëtare, janë ekspozuar botime dhe ribotime të autorit, botime në gjuhë të huaj, të gjitha veprat që përbam fondi i BKSH-së. Të njëjtat burime pohojnë se Podrimja ndër autorët më të lexuar.

Ndër botimet e ekspozuara janë libri i parë i tij është, një përmbledhje me vargje elegjike me titullin, “Thirrje” si dhe librat “Sambo”, “Dhimbë e bukur”, “Lum Lumi”, etj. Gjithashtu edhe botimet e tij në gjermanisht, polonisht, greqisht, anglisht, etj. Ekspozita do të qëndrojë gjatë gjithë javës në hollin kryesor të Bibliotekës Kombëtare. Ali Podrimja humbi jetën ne Francë ku prej ditësh nuk kishte asnjë kontakt me familjarët apo miqtë dhe në datë 21 korrik autoritetet franceze njoftuan qeverine e Kosovës se kishin gjetur trupin e tij të pajetë. Autor i shumë librave me poezi, ai çmohej si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Përveç poezisë, ai njihej edhe për shkrimin e eseve dhe tregimeve që e kishin bërë fitues të shumë shpërblimeve të ndryshme letrare. (LajmeShqip.com)