Lajme Shqip Wednesday, 03 April 2013 10:30

Tiranë – Është e lehtë të gjykosh sot për atë që ka ndodhur njëqind vjet më parë me Shqipërinë dhe për atë çfarë mund të bëhej më mirë. Megjithëse, nga ajo që tregohet në dokumente, është se edhe në momentet më të vështira të Shqipërisë mungojnë veprimet e menduara për atë që do të mundësojë kompaktësinë e këtij vendi.

Vetëm se të mos konfuzohemi më shumë: Jemi në ditët e para të shtetit shqiptar. I vetmi në këtë hulli tmerri, ku po rrokulliset e gjithë Evropa, është Ismail Qemali, që mundohet brenda kanoneve diplomatike të lehtësojë hapat e para të qeverisë së vet, e cila më shumë është hipotetike. Jemi në momentet e fundit të ekzistencës së perandorisë së Bosforit dhe pjesën më të madhe të ushtrisë osmane në Janinë e përbëjnë shqiptarët, që ikin. Askush s’do t’ia dijë. Të gjithë për të gjithë. Të gjithë kundër të gjithëve. Është afërmendsh që qeveria e parë shqiptare që ka juridiksion në më pak hapësirë se vetë prefektura e Vlorës do të përpiqet të ushtrojë presion ndaj një shteti si Greqia ( që është konsoliduar), për problemin e juridiksionit mbi Janinën, një qytet historik për shqiptarët dhe po aq të shtrenjtë për grekët.

Por, ajo që nuk zbulohet dot deri më tani, është roli i Ismail Qemalit. Një pjesë e historianëve këmbëngulin se faji kryesor i ikjes së Janinës i takon kreut të shtetit dhe marrëdhëniet e tij pak si shumë të dashura me Greqinë. Atëkohë, kjo e fundit, i ka nxjerrë kthetrat, duke thënë se nëse mbështeteshin turqit atëherë shqiptarët do konsideroheshin si armiq.

Greqia, nga ana e saj, bën një luftë pa ekuivoke në territoret shqiptare, me Perandorinë Osmane. Ata, jo vetëm nuk duan t’ia dinë për gjendjen e shqiptarëve, por u vjen mirë që lufta të bëhet në këtë vend. Kulmi shkon edhe më tej, kur pas datës 20 dhjetor 1912, ushtria greke pushton Korçën dhe futet në marshim në thellësi në drejtim të perëndimit. Duhet thënë se para kësaj situate tejet të rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë, mbrojtja e Janinës fillon e merr një rëndësi të veçantë. Kryetari i qeverisë shqiptare Ismail Qemali përpiqet më kot që të merret ngado dhe të krijojë konjuktura të përshtatshme me vende të tjera. Askush se dëgjon plakun dhe kreun e një qeverie pa tagër. Ca më shumë, këtë e bëjnë të tijët. Edhe me keq akoma, shqiptarët që janë në armatën osmane, nuk duan t’ia dinë dhe mbi të gjitha, prej tyre, nuk kuptohet pesha për të ardhmen.

Fati i keq i shqiptarëve është se pragmatizmi i detyruar i këtij kontingjenti do të verë vulën e madhe për të ardhmen dhe qyteti do mbetet nën juridiksionin grek. Shqiptarët e Vlorës përpiqen të ndihmojnë indirekt me armë dhe ushqime thjesht që ata të mos dezertojnë. Mit’hat Frashëri dhe Eqerem Vlora këmbëngulin për politikë të ashpër. Të dy janë shumë të bindur që pesha e Turqisë është e duhura për Shqipërinë. Historia më vonë do të tregojë se të dy nuk janë aq dominantë për të bërë të njëjtën gjë për historinë e Shqipërisë. Afërmendsh se presioni është për beneficet e tyre. Pas shumë mëdyshimeve dhe vështirësive, qeveria e Vlorës bëri një qarkore qeveritare të datës 10 shkurt 1913, drejtuar të gjitha krahinave të Shqipërisë. Qeveria me anë të kësaj u shpreh solidare për mbrojtjen e Janinës.

“Shqiptarët nuk duhet të kursenin as gjënë dhe as gjakun e tyre dhe pa humbur kohë tërë patriotët shqiptarë urdhëroheshin të rroknin armët për të drejtuar popullin në ndihmë të Janinës”. Sa ndodhi kjo? Nuk ndodhi asgjë, Shqipëria e la edhe një nga pjesët e saj më të njohura historike. Në kohën e duhur, në momentin e duhur, s’ishte aty. Si gjithmonë. (BW/LajmeShqip.com)