Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 16:25

TIRANË – Sot përkujtohet 95-vjetori i lindjes së piktorit Ibrahim Kodra, vepra e të cilit arriti lartësitë europiane.

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara. Krijimet e tij artistike u prezantuan për publikun shqiptar, vitin që lamë pas, në kuadër të 100-vjetorit. Fondacioni “Ibrahim Kodra” në Milano disponon vetëm pak prej qindra tablove të kompozuara nga Kodra, ndërkohë që shumë prej tyre janë shitur kur ai ka qenë ende gjallë.

Piktura e Ibrahim Kodrës është një bashkim i çuditshëm botësh; botës së tij origjinale, të mbartur nga vendlindja, me motivet dhe historinë e saj, shpesh herë të etiketuar si orientale nga shtypi italian, dhe skemave artistike perëndimore që kishin marrë jetë me avangardat e fillimit të shekullit të njëzetë. Ky bashkim, kjo përzierje e bën Kodrën një artist tepër të veçantë për periudhën kur ai jetoi dhe punoi.

Kubizmi i Kodrës nuk është një përpjekje për ta shpërbërë objektin por për ta ribërë atë, duke e kthyer pikturën e tij në një mjet precizioni të lartë, në funksion të të kuptuarit dhe të gjykuarit të artit dhe kulturës perëndimore, duke zgjedhur rrugën e përballjes kritike me këtë të fundit. 50 % e veprave të Kodrës ndodhet në Tiranë, në pronësi të koleksionistëve shqiptarë dhe 50 % e ekspozitës në GKA do të jetë me veprat e këtyre koleksionistëve dhe pjesa tjetër do të jetë nga Fondacioni Kodra.

Kodra lindi në Ishëm më 22 prill të vitit 1918. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Belograd, Nju Jork, krijon raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Shagall, Matis, Fontana, Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Montale dhe Sereni, nga Bertoni tek Munari, dhe Marotta.

Në 7 shkurt të vitit 2006, ai u nda nga jeta. Piktori Ibrahim Kodra kthehet i vdekur në atdhe. Në aeroportin “Nënë Tereza” zbresin nga avioni që vinte nga Milano, arkivolin e tij. Me nderime dhe ceremonial shtetëror përcillet për në vendlindje. Varri i tij ngrihet mbi një kodër në fshatin Ishëm.

Me rastin e 95 – vjetorit të lindjes së piktorit të njohur shqiptar Ibrahim Kodra, në përkujtim te jetës dhe veprës së tij, pasditen e sotme, në Galerinë Kombëtare të Arteve, do të zhvillohet një bisedë me artistë dhe intelektualë.(LajmeShqip.com)