Lajme Shqip Monday, 24 October 2011 22:59

Tiranë – Sende personale të Gjergj Fishtës ekspozohen për herë të pare, në 140-vjetorin e tij të lindjes.

Bastuni i tij i vitit 1933, tavolina e punës dhe makina e shkrimit e lahuta janë objektet e veçanta, pjesë e ekspozitës së çelur pasditen e sotme në Muzeun Historik Kombëtar. Marrë nga koleksione personale, në përkujtim të Fishtës janë ekspozuar edhe dorëshkrime, letër këmbime, fotografi, medalje, që dëshmojnë aktivitetin letrar të rilindasit, por edhe jetën e tij politike, përpjekjet për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Ekspozita është konceptuar në dy pjesë. Në njërën ku pasqyrohet jeta e tij përmes fotografive, librave e objekteve personale ku evidentohet edhe bashkëpunimi i Fishtës me shoqëritë patriotike e kulturore, pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit, Konferencën e Paqes në Paris, etj.

Ndërsa në pjesën e dytë të eksozitës pasqyrohet veprimtaria e poetit në fushën e letrave mes ekspozimit të botimit origjinal të “Lahutës së Malësisë”, apo “Mrizit të Zanave”, veprimtaria si redaktor në revistat “Hylli i Dritës”, “Zani i Shna Ndout”, etj.

I pranishëm në çeljen e ekspozitës, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi tha se ruajtja e objekteve të Fishtës është një provë unike për popullin tonë pavarësisht dënimeve që ekzistonin në atë kohë. ” Kjo ekspozitë është një dëshmi e dyfishtë, së pari ajo sjell për herë të parë në origjinalitetin e saj jetën krijuese të Gjergj Fishtës, të ambjentit të tij të punës dhe mbi të gjitha shndërrohet në provë të marrëdhënies unike të popullit me poetin e vet kombëtar”, tha Bumçi.

Ministri bëri me dije se shtëpia e At Gjergj Fishtës, në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës do të rikonstruktohet dhe do të shndërrohet në një muze bashkëkohor në lartësinë e këtij personaliteti të kulturës kombëtare si dhe po shqyrtohet mundësia e vendosjes në skenë për herë të parë të një vepre të tij nga Teatri Kombëtar.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi u shpreh se me veprat e tij Fishta ishte një emër i madh në kulturën shqipe të gjysmës së parë të shek XX. “Regjimi komunist u përpoq ta rrëzoj atë nga kulmi i tij, i ngritur me mund, por më kot. Pa vendosjes së sistemit pluralist filloi edhe një herë rivlerësimi i plotë i veprës së tij”, tha Malltezi.

Për shkak të represionit sllavo-komunist ka qenë e vështirë gjetja e eksponentëve, sendeve personale dhe fotografive të Gjergj Fishtës. Në vitin 1945 filloi represioni sistematik ndaj klerikëve në Shqipëri e në veçanti ndaj veprës së tij.

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor. Teolog, shkrimtar (poet e prozator), historian, pedagog, filozof, piktor (mendohet të ketë mbi 20 piktura), deputet. Është shqiptari i parë i kandiduar për Nobël dhe përfaqëson letrarin shqip në gjithë madhërinë e tij.

Më 1913 botoi librin “Mrizi i Zanave” dhe pas 35 vjet pune, më 1937 nxorri “Lahuta e Malcis”, një vëllim prej 17 000 vargjesh, që u cilësua si Iliada shqiptare ose Bibla e lëvruesve të shqipes.

Ishte kryetar i kongresit të Manastirit dhe propozimi i tij fitoi në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në tetor 1913 nxjerr revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalos flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia.