Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 18:48

Prishtine – Agim Ramadani, 14 vite nga ikja e poetit martirM’u shterrshin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”.

Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të mbrame, para se të vdiste, rikujton “Gazeta Shqiptare”. Poeti martir u shua 14 vjet më parë (11 prill 1999) bashkë me Sali Çekajn, të dy komandantë në betejën e Koshares e sot heronj. Beteja e Koshares është një ndër më të mëdhatë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë së RF të Jugosllavisë. Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë. Pikërisht për këtë arsye, ajo njihet edhe si ngjarja që theu kufirin shqiptaro-shqiptar. Mediat e Prishtinës raportojnë se ushtria jugosllave e kohës ka qenë e ndihmuar edhe nga mercenarët e vullnetarët rusë e sllavë të tjerë, si dhe nga “gabimet” e NATO-s.

Pas një beteje të ashpër për çdo metër katror, UÇK-ja arriti të krijojë avantazhe dhe të dëbojë e të zmbrapsë ushtrinë jugosllave. Për 70 ditë radhazi në luftimet e përditshme, Brigada 131 “Agim Ramadani”, nga radhët e veta kishte humbur 140 luftëtarë. 14 vite më vonë, Prishtina e ka përkujtuar betejën dhe të rënët me një seancë në Kuvendin e Kosovës.

Duke sjellë në vëmendje faktin se beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u organizua manifestimi “Ditët e Shqipes”, ku u bënë homazhe dhe u vendosën kurora me lule në Koshare. Njëri nga udhëheqësit e kësaj beteje, Anton Çuni, që njëherësh ka qenë një nga bashkëluftëtarët e Agim Ramadanit, Sali Çekajt dhe shumë të tjerëve, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se për 70 ditë me radhë Brigada 138 “Agim Ramadani” numëronte 2.500 luftëtarë të përhershëm, lufta e të cilëve solli edhe fitoren e betejës së 8 prillit dhe thyerjen e kufirit Kosovë-Shqipëri.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke folur për këtë betejë ka thënë se thyerja e kufirit hapi një korridor të rëndësishëm për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Beteja e Koshares e kishte rëndësinë e saj strategjike, sepse thyente brigadën e Serbisë me Shqipërinë, sepse gjatë kësaj vije kishte vendosur forca të mëdha policore. Thyerja e kufirit krijonte korridorin aq shumë të nevojshëm për të rinjtë që të futeshin në Kosovë”, – ka thënë Krasniqi.

Agim Ramadani ka qenë anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, ndërsa poezia e piktura kanë qenë pasionet e tij gjatë shkollimit të lartë në Zagreb. Ai është pjesë e antologjive të ndryshme të letërsisë shqipe botuar pas vitit 2000.(LajmeShqip.com)