Lajme Shqip Saturday, 30 June 2012 15:15

Prishtinë – Në Shalë të Bajgorës,  në veri të Kosovës, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, mbahet sot,  një manifestim popullor kushtuar 100 vjetorit të Kuvendit të Kurillovës .

Pikërisht, më 30 qershor të vitit 1912 në Majën e Vesekofcit, Isa Boletini ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar, para se të shkonte për të ngritur Flamurin e Pavarësisë me në krye Ismail Qemailin në Vlorë.

Manifestimi në Vesekofc është organizuar nga tre komuna kosovare – Mitrovica, Vushtrria dhe Podujeva, nën patronatin e kryetarëve të tyre. Vesekofci është fshati më verior i komunës së Vushtrrisë, ku është trekëndëshi i kufijve të tre komunave organizatore të festës.

Sipas organizatorëve, në manifestim janë të ftuar personalitete të njohura nga fusha e politikës, shkencës dhe kulturës nga viset shqiptare, përfshirë historianë nga Tirana e Prishtina, ndërsa do të flasë dhe përfaqësuesi i familjes së heroit kombëtar Isa Boletini.
Pjesë e festës do jetë edhe ngritja në shtizë e Flamurit Kombëtar aty ku u ngrit para 100 vitesh, si dhe programi nga Ansambli artistik i këngëve dhe valleve i Mitrovicës. (LajmeShqip.com)