Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 12:20

Prishtinë – Në njëvjetorin e vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është përkujtuar vepra e tij, ndërsa është hapur edhe libri i kujtimeve.

Për pjesëmarrësit në homazhe janë shfaqur filma nga krijimtaria e tij kinematografike. Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, tha se Bekim Fehmiu ka përfaqësuar artin filmik të Kosovës në të gjithë ish-Jugosllavinë.

“Jeta, vepra dhe kujtimi i artistit Bekim Fehmiu janë personifikim i krenarisë artistike dhe krenarisë kombëtare si dhe frymëzim artistik për të gjitha gjeneratat e ardhshme”, e vlerësoi Bekim Femhiun, regjisori Ekrem Kryeziu.

Bekim Fehmiu u lind në Sarajevë, në vitin 1936 dhe vdiq më 15 qershor 2010, në Beograd, ku bëri vetëvrasje. Ai u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike dhe atë botërore.