Lajme Shqip e Enjëte, 28 Qershor 2012 16:58

Vlorë -Themeluesi i Pavarësisë së Atdheut tonë, Ismail Qemali u nderua (pas vdekjes) nga Presidenti Topi me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar.

Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se motivacioni i marrjes së këtij urdhri është: “Për meritat e jashtëzakonshme historike dhe rolin vendimtar në të gjitha fazat e përgatitjes dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të krijimit dhe të drejtimit të shtetit të ri shqiptar; për cilësitë dhe aftësitë e rralla si ideolog kombëtar dhe udhëheqës i urtë, dijetar dhe diplomat i shquar, burrë shteti dhe politikan vizionar”.

“Në një shenjë vlerësimi të veçantë, duke qenë se të gjitha këto arritje u bënë të mundura nën udhëheqjen e plakut të urtë e largpamës, Ismail Bej Vlorës, – udhëheqës të atij lloji për të cilët ne kemi aq nevojë edhe sot e kësaj dite, kur interesat madhore të vendit duhet të mbizotërojnë përmbi çdo lloj interesi të çastit apo partiak, sepse vetëm kështu burrat e shtetit do ta gdhendin emrin e tyre me nder e me lavdi në librin e artë të historisë së kombit shqiptar, – po përmbush detyrimin shtetëror e moral duke e dekoruar me “Udhrin e Flamurit”!”, vlerësoi Topi figurën e Ismail Qemalit.

Po kështu edhe i gjithë Grupi i atdhetarëve firmëtarë të dokumentit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, u shpallën (pas vdekjes) “Nder i Kombit” me motivacionin: “Për meritat e tyre historike si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin dhe shpalljen e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të parreshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë”.

Në emër të qytetarë të Vlorës, titullin e lartë “Nderi Kombit” e mori Kryetari i Bashkisë zoti Shpëtim Gjika, i cili e falënderoi Presidentin Topi duke e cilësuar këtë “si gjestin më fisnik bërë nga Kryetari i Shtetit Shqiptar ndaj Vlorës dhe vlonjatëve.”

Nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, zotit Aleksandër Flloko Presidenti i Republikës nderoi qytetin historik të Vlorës me Urdhrin “Nderi i Kombit” me këtë motivacion: “Për rolin historik si qytet simbol i shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri shqiptar, për meritat e veçanta në luftën për liri, pavarësi dhe çlirim, për ndjenjat e larta patriotike e liridashëse dhe kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar”.

I shoqëruar nga Drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Skelë të Vlorës, zoti Skënder Spahiu, Presidenti Topi u ndal në godinën simbol të shpalljes së mëvetësisë, ku pa nga afër dhe u njoh me portretet e firmëtarëve, të punuara nga piktori Arben Morina, të ekspozuara me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

‘Asnjë qytet tjetër në Shqipëri nuk i shpalos më mirë e më thekshëm se Vlora jonë të gjitha vlerat, përpjekjet, lëngimet shpirtërore e politike, humbjet dhe fitoret historike të kombit tonë përgjatë këtij shekulli. Prandaj, në kuadër të këtij viti jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë sonë të merituar, kam nderin dhe privilegjin ta shpall Vlorën dhe njëkohësisht edhe qytetarët e vjetër e të rinj të saj: “Nder i Kombit”!’, tha në një fjalë të rastit, Presidenti Topi. (LajmeShqip.com)