Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 17:25

Tiranë  -  Një mbrëmje e veçantë artistike kushtuar nostalgjisë tiranase, ishte subjekti i fundjavës së artit në Kuvendin e Shqipërisë.

Nostalgjia për Tiranën e vjetër, traditat, zakonet, kostumet dhe shtëpitë  autoktone, erdhën për vizitorët, përmes penelit të piktorit të talentuar, birit të një familje të nderuar tiranase, Serxh Petrela.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke shprehur emocionet për një mbrëmje kaq të veçantë të organizuar për herë të parë për Tiranën, në Kuvend, tha se “kjo ekspozitë i bën nder jo vetëm institucionit, por çdo qytetari”.

Topalli vlerësoi se pikturat e Serxhos, të ekspozuara si në Europë edhe në Britani e SHBA, janë një cikël i jashtëzakonshëm peisazhesh, natyrë e qetë, të përshkruara thellësisht nga nostalgjia për qytetin e tij.

“Kjo është një ndjenjë e brishtë, një lloj dhembsurie, edhe një lloj kujtese e fortë që e përjeton piktori në peisazhet e tij të mrekullueshme. Cikli i Serxhos, rrugicat tiranase është i jashtëzakonshëm. Ai është një piktor impresionist, që sjell në ambientet e Kuvendit tiparet dhe koloret e Tiranës së dikurshme”, tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit theksoi edhe tiparin e dhembsurisë për njerëzit në nevojë që përshkon artin e Serxhos, i cili me pikturat e tij kontribuon në aktivitete bamirësie.

“Artistët e mëdhenj janë aq modestë, por po aq shpërthyes. Përmes artit të tyre ata thonë shumë më tepër se çdo fjalë që mund të themi ne të tjerët”, tha ajo.

I pranishëm në ekspozitë, kryetari i shoqatës “Tirona”, Arben Tafaj vlerësoi iniciativën e Kryetares së Kuvendit, si një mesazh të fort mbështetës për qytetarinë dhe vlerat e saj, jo vetëm për Tiranën, por për çdo qytet tjetër të Shqipërisë.

Nga ana e tij, piktori Serxh Petrela, duke i shprehur mirënjohjen Kryetares Topalli tha se, çelja e ekspozitave të tilla në Kuvendin e Shqipërisë, janë elementë kulmorë në jetën e një artisti.