|
|
e Mërkurë, 05 Shtator 2012 19:12 Tiranë – Presidenti Bujar Nishani nderoi sot me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, shkrimtarin, publicistin dhe personalitetin e shquar në jetën publike, shoqërore dhe politike shqiptare, Teodor Keko (pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të shquar në fushën e letërsisë dhe publicistikës, duke promovuar në kulturën kombëtare, risi dhe vlera autentike shpirtërore dhe intelektuale”.
Siç informon noa.al Kryetari i Shtetit në fjalën e tij vlerësoi kontributin e lartë të Teodor Kekos në letërsi dhe oratorinë e tij, duke u shprehur ndërmjet të tjerash se “Një njeri mund të jetojë dhe njëqind vjet dhe mund të mos lerë asgjë si shenjë e ekzistencës së tij. Teodor Keko jetoi pak, por la shumë”.
Në ceremoninë zyrtare, që përkoi me dhjetëvjetorin e vdekjes së shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur ishin të pranishëm familjarë të shkrimtarit dhe publicistit Keko, Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku dhe përfaqësues të MTKRS-së, shkrimtarë, publicistë dhe miq.
Presidenti Nishani ia dorëzoi urdhrin e lartë bashkëshortes së të ndjerit, Xhulieta Keko.(LajmeShqip.com)