|
|
e Hënë, 16 Korrik 2012 20:30 Prishtinë – Filmi “Kthimi” i regjisores kosovare Blerta Zeqiri, fitoi çmimin kryesor në garën e filmave të shkurtër në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Në një ceremoni solemne, ku ka marrë pjesë edhe aktori i njohur britanik Jeremy Irons, asaj i është dorëzuar “Zemra e Sarajevës”.
Sipas raportimeve të shtypit të Prishtinës, përveç çmimit, “Sarajevo Film Festival”, të cilin e kishte hapur aktorja Angelina Jolie, e ka nominuar filmin “Kthimi” edhe për garën e filmit më të mirë evropian që do të mbahet në dhjetor.
“Zemrën time ia dhuroj Sarajevës”, ka thënë regjisorja kosovare, teksa ka dalë në skenën e Teatrit Kombëtar të kryeqytetit boshnjak për të pranuar çmimin.
“Kthimi” është një dramë familjare e një të burgosuri shqiptar, që kthehet nga burgjet serbe pas mbarimit të luftës. Ai përballet me ndryshimin e madh, jo të lirisë, por me pasojat e dhunimit të gruas së tij. Me gjithë vuajtjet dhe tmerret, ajo pranon të sjellë në jetë fëmijën, si fryt të dhunimit, duke e pagëzuar me emrin Jeta.
“Kthimi” ishte fitues i edicionit të vitit të kaluar në festivalin e filmit të shkurtër “Nine Eleven”, në Prishtinë. (LajmeShqip.com)