Lajme Shqip e Martë, 17 Korrik 2012 19:00

Tiranë – Filmat shqiptarë me metrazh të shkurtër, të financuar nga Qendra Kombëtare e Kulturës, “Matanë Lumit” me regji të Sabir Kanaqit dhe “Dita e fundit e Loro Shestanit” me regji të Sokol Keraj janë fitues të dy çmimeve në Festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest 2012″.

Juria e festivalit, që u zhvillua në Prizren në datat 7-15 korrik, vlerësoi me një vendim unanim për kategorinë e filmit kombëtar “Matanë Lumit”, ndërsa “Dita e fundit e Loro Shestanit” mori çmimin e publikut. “Matanë Lumit” shkëlqen me një histori të ndjeshme, një kinematografi e mirëmenduar dhe një regjisor i guximshëm me një film që ne besojmë se do të qëndroj si dëshmi e përpjekjeve të tij filmike në të ardhmen”, është shprehur juria për filmin. Filmat e shkurtër shqiptar, fitues në “Dokufest” janë realizuar në vitin 2011-të.

Ky edicion i 11-të prezantoi 150 filma në 6 programe garuese si dhe mbi dhjetë programe speciale, ndërkohë që kineastë të ndryshëm nga e gjithë bota ishin të pranishëm në shfaqjen e filmave të tyre.

“Dokufest” e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, si dhe mysafirësh dhe artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar, çdo verë, qytetin historik kosovar të Prizrenit, në një kryeqytet botëror të kultures. (LajmeShqip.com)