Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 14:22

DURRES- Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mesditën e sotme rreth orës 11:00 pranë depozitave të naftës në Sukth. Mësohet se flakët kanë përfshirë një depozitë nga tetë depozita tek ish-SMT. Zjarri përhapet edhe nga tubat që cojnë karburantin tek depozita e naftës, duke e rritur intensitetin e flakëve.

Situata bëhet më e rëndë kur mësohet se afër vatrës së zjarrit ka edhe banesa në një largësi rreth 50 metra.

Flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi duke e nxjerrë situatën nga kontrolli. Në vendngjarje, sic raporton korrespondentja Klodiana Haxhiaj ndodhen 5 zjarrfikëse të cilat nuk mund të ndërhyjnë nga afër pasi flakët janë të një intensiteti të lartë. Ndërsa raportohet se edhe nga Tirana janë nisur 6 zjarrfikëse. Në vendngjarje ndodhen edhe forca të shumta policie dhe 3 autoambulanca.

Mësohet gjithashtu se zjarrfikësit po evakuojnë njerëzit në banesat pranë vatrës së zjarrit në një perimetër rreth 1 km nga vendi ku ka rënë zjarri.

VAZHDON LUFTA ME FLAKËT, NUK RAPORTOHET PËR TË LËNDUAR
Ora 14:00- Nga vendngjarja raportohet se vazhdon ‘lufta’ me flakët, ndërsa forca të shumta zjarrfikësish, policia dhe autoambulanca ndodhet në vendngjarje. Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e ndërhyrjes së shpejtë me maskat kundragaz. Nuk raportohet për persona të lënduar, por mësohet se zjarri po avancon.

RREZIKON TË DIGJET NJË DEPOZITE E DYTE
Ora 13:42- Korrespondentja Klodiana Haxhiaj nga vendngjarja bën me dije se intensiteti i zjarrit vazhdon të jetë i lartë, ndërkohë që rrezikon që flakët të përfshijnë edhe depozitën e dytë. 

DILAVER TEPELENA: SITUATA SHQETËSUESE, POR NËN KONTROLL
Ora 13:30- Në një komunikim për News 24, Dilaver Tepelena sekretari i Prefekturës së Durrësit bëri me dije se situata nga zjarri është “shqetësuese, por nën kontroll”.

BANORI I ZONËS: BANESAT 50 METRA NGA ZJARRI
Ora 13:29- Një banor i zonës në një lidhje telefonike për News 24, sqaron situatën e krijuar nga zjarri i rënë në zonën e Maminasit.

“Kanë shpërthyer flakët rreth orës 11:00, shpërtheu një bot, u alarmua e gjithë zona, zjarrfikësit kanë ardhur pak me vonesë, rreth orës 11:20, por tani janë duke bërë punën e vetë, zjarrfikësit kanë mbërritur në orën 11:e 20. Banesat nuk janë prekur, nuk ka të dëmtuar në njerëz por largësia është rreth 50 metra. (B.W/LajmeShqip.com)