Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 09:07

Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, MITIK, ka zhvilluar tenderin për ndërtimin e Rrjetit Kombëtar me Brez të Gjerë.

Afati i dorëzimit të ofertave ishte data e pardjeshme, kur, sipas Ministrisë, është paraqitur një ofertë e vetme, nga një konsorcium shqiptaro-izraelit. Nëpërmjet një prononcimi të shkurtër zyrtar, pa dhënë hollësi të mëtejshme, Ministria shprehet se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të ndjekë proçedurat ligjore të vlerësimit në vijim.

Që vitin e kaluar, Ministri i Punëve Publike i dha të drejtën një kompanie private për të hapur rrugët dhe për të shtrirë rrjetin e fibrave optike në të gjithë territorin e vendit. Ky veprim u denoncua si i kundraligjshëm nga disa media dhe megjithë shkeljet për të cilat u akuzua, ministri nuk u tërhoq nga vendimi i tij.

Ende nuk është plotësisht e qartë ku dallon e drejta e dhënë nga z.Olldashi me atë që po tenderon z.Pollo, duke qenë se në thelb bëhet fjalë për të njëjtin shërbim: ngritjen e të gjithë infrastrukturës, përfshi rrjetin e fibrës optike, për të ofruar transmetim të dhënash me brez të gjerë.

Vetë kompania ATU është partneri shqiptar në konsorciumin që paraqiti pardje ofertë në tenderin e MITIK. ATU kishte hedhur më parë në gjyq MITIK, sepse në rregulloren e tenderit ishin përjashtuar kompanitë vendase dhe fituesi duhet të ishte një investitor i huaj strategjik. Kjo është arsyeja që ATU-ja ka krijuar konsorciumin me një partner izraelit, prania e të cilit duket të jetë fiktive, vetëm për të shmangur pengesat teknike.

Një veprim i ngjashëm u bë nga grupi i investitorëve shqiptarë që përfituan licencën e katërt celulare në vitin 2008, kur si investitor strategjik u përdor Post-Telekomunikacioni i Kosovës. Përtej konfuzionit dhe debateve, nëse Pollo e shpall të rregullt tenderin dhe pranon ofertën e paraqitur, i gjithë rrjeti kombëtar broadband do të jetë në duart e kompanisë ATU.