Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 09:59

Prishtinë- Mbi 30 milionë euro kanë hyrë në Kosovë brenda gjashtë muajve nga katër vende arabe. Zyrtarisht tregohen vetëm shtetet prej nga vijnë, por jo edhe kush i sjell ato dhe çfarë destinacionin kanë. Gazeta “Zëri” ka siguruar depozitat e këtyre milionave që vijnë nga disa shtete arabe. Sipas këtyre të dhënave, nga muaji janar, e deri në qershor të vitit 2012, në vendin tonë nga katër shtete arabe kanë hyrë hiç më pakë se 30 milionë e 13 mijë euro.
Pjesa më e madhe e tyre, më shumë se 25 milionë euro ka ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Të hyra ka edhe nga Kuvajti, prej nga kanë ardhur 2,7 milionë euro për gjashtë muaj, rreth 900 mijë euro nga Katari, si dhe rreth 600 mijë euro nga Arabia Saudite. Këto të dhëna janë siguruar nga transferet bankare të regjistruara në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Duke iu referuar të dhënave zyrtare që ka siguruar gazeta, shihet se gjatë pjesës së parë të vitit që lamë pas transferet e parave nga shtete arabe, janë rritur në krahasim me vitin 2011.
Gjersa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012 nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vendin tonë kanë hyrë 25 milionë euro, në vitin 2011 për 12 muaj kanë hyrë vetëm 14 milionë euro, e vërehet një rritje enorme e transfereve. Transferin e mjeteve nga katër shtete Arabe, e konfirmojnë edhe vetë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.
“Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, kanë hyrë në Kosovë 30 milion euro, nga shtetet arabe. Shumica e tyre vijnë nga Emiratet e Bashkuara, në vlerë prej rreth 25 milion euro. Pastaj rreth 1 milion kanë hyrë nga Katari, afër 3 milion nga Kuvajti, dhe mbi gjysmë milioni nga Arabia Saudite”thuhet në përgjigjen e bankës dërguar gazetës.