Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 08:02

Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nuk mund t’i rregullojë problemet e brendshme politike, por duhet të shërbejë si mundësi që partitë t’i kthehen dialogut në kuadër të institucioneve të Kosovës, ka thënë përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Në pjesën e parë të intervistës dhënë “Kohës Ditore” ditën kur u ratifikua MSA-ja, Zhbogar ka potencuar se institucionet e fuqishme dhe efikase janë thelbësore për zbatimin e suksesshëm të MSA-së.

Si sfidat kryesore ai ka përmendur pavarësinë dhe kapacitetin e institucioneve gjyqësore, “të cilat kanë nevojë për forcim të mëtejshëm”, si rruga e vetme për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sa i përket mundësisë që BE-ja ta suspendojë MSA-në për Kosovën nëse eventualisht tërhiqet nga ndonjëra prej marrëveshjeve me Serbinë, shefi i BE-së nuk ka treguar nëse kjo do të ndodhë, përcjell koha.net. Ai vetëm ka shprehur bindjen se Kosova do t’i respektojë të gjitha marrëveshjet, sepse “marrëveshjet e arritura janë çështje e kredibilitetit të Kosovës në zbatimin e obligimeve ndërkombëtare”.