Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 13:43

Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar thotë se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit sjell obligime të reja, sidomos në kornizën ligjore. Ai po ashtu beson se do të ketë lajme të mira edhe për vizat.

Zhbogar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë tha se në aspektin tjetër marrëveshja është edhe e një rëndësie praktike, sepse kjo do t’i ndihmojë Kosovës që t’i përshpejtojë reformat.

“Më vjen mirë që fillimisht të gjithë kemi arritur në këtë pikë, sepse kjo është struktura e parë e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së. Është forma e parë e themelimit të dialogut politik mes Kosovës dhe BE-së. Në aspektin tjetër marrëveshja është edhe e një rëndësie praktike, sepse kjo do t’i ndihmojë Kosovës që t’i përshpejtojë reformat. Përveç, aspektit institucional, MSA-ja do të rrisë marrëdhëniet tregtare mes prodhuesve kosovarë dhe BE-së…”, tha Zbogar.

Ai tha se për 10 vitet e ardhshme kjo do të jetë një marrëveshje asimetrike, për të ndihmuar prodhuesit kosovarë që të hyjnë në tregun evropian.

“Pastaj, MSA-ja do të ndihmojë më shumë në tërheqjen e investimeve vendore dhe të huaja, sepse me këtë Kosova do të garantojë një ambient më të parashikuar për investime dhe biznese, dhe nga kjo do të krijohen vende të reja pune. Marrëveshja garanton edhe cilësi më të mirë të produkteve, ambientit si dhe ngritë konkurrencën mes prodhuesve, e cila pastaj ndikon në uljen e çmimeve. Pra ka shumë privilegje, përveç asaj simbolike, që Kosova hyn në marrëdhënie kontraktuale me BE-në”, u shpreh Zhbogar.

Ai tha se Qeveria duhet të bëjë më shumë në zbatimin e ligjit dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.

“… Zhvillimet e fundit në Kosovë, në Parlament, kanë ndikuar që vëmendja për Kosovën të kthehet për gjëra jo të mira, madje edhe për vetë kosovarët. Ne mendojmë që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe me vetë serbët në Kosovë, është primare dhe në interes të Kosovës”, tha Zhbogar.

Ai tha se tensionet e krijuara mes qeverisë dhe opozitës duhet të kalohen përmes dialogut.

“Dje kemi pasur ratifikimin e MSA-së në Kuvend dhe të paktën opozita ka qenë aty, jo për ratifikim, fatkeqësisht, por për pjesën e diskutimit. Shpresoj që në të ardhmen të gjejnë tema tjera të përbashkëta për diskutime, dhe të kthehen në parlament për diskutim”, tha përfaqësuesi i BE-së.

“…Po unë që atëherë u pata shprehur se besoj që brenda mandatit tim, që përfundon në 2016-ën, do të kemi lajme të mira për viza dhe unë vazhdoj të kem shpresa në këtë drejtim. Shumë gjëra janë bërë që atëherë. Ne kishim një komision nga BE-ja në qershor dhe vlerësimi i tyre në përgjithësi ka qenë pozitiv. Janë disa çështje të cilat duhet trajtuar dhe ne këto të dhëna preliminare i kemi dërguar te qeveria, e cila është zotuar se ato do të plotësohen gjatë nëntorit. Dhe unë shpresoj se nëse të gjitha këto plotësohen, atëherë në dhjetor mund të presim më me optimizëm, raportin të cilin Komisioni Evropian supozohet se duhet ta prezantojë në dhjetor. Nuk mund te jem më specifik se kaq, sepse duhet parë se si do të zbatohen çështjet tjera dhe si do të del raporti. Por ky është vetëm fillimi, sepse pastaj vendet anëtare të BE-së, do ta diskutojnë dhe ato marrin vendimin final. Pra, në dhjetor nuk kemi vendimin final, por do ta kemi të qartë pozicionin e Komisionit Evropian, që është i një rëndësie të madhe”, u shpreh Zbogar.