Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 11:22

Tiranë- Zgjedhja e kryetarit të PS-së pritet të bëhet në fillim të vitit të ri. Mandati i kryetarit aktual, Edi Rama, që tashmë është edhe kryeministër i vendit, mbaroi në 26 shtator. Megjithëse po shkon 2 muaj nga kjo datë, asnjë procedurë s’ka nisur. Burimet nga PS bënë të ditur se në muajt janar ose shkurt pritet të procedohet për një gjë të tillë.
Kjo konsiderohet një proces formal për socialistët, pasi Edi Rama e ka të garantuar mandatin e tij të ri në krye të PS-së, tashmë pasi u fituan edhe zgjedhjet e 23 qershorit. Por, kjo është një procedurë të cilën e detyron statuti i partisë. Këto zgjedhje nuk janë bërë ende sipas afateve, për shkak të angazhimeve që ka pasur Rama si kryeministër dhe qeveria e re, për të vënë në vijë së pari situatën në vend. Për të ndjekur këtë procedurë që e dikton statuti, u ngarkuan nga grupi parlamentar tre përgjegjës, Bashkim Fino, Blendi Klosi dhe Tualant Balla, të cilët do të hartonin një raport, jo vetëm për zgjedhjen e kreut të partisë, por edhe për zgjedhjet në organizata, të cilat përsëriten çdo dy vjet, sa herë pas zgjedhjeve.

Deri tani nuk ka asnjë raport, por nuk ka pasur asnjë mbledhje kryesie për këtë, edhe pse ishte parashikuar që në 15 nëntor të mbahej një e tillë. Rama ka përfunduar kështu, mandatin e tij të tretë në krye të PS-së. Në zgjedhjet e fundit, Rama kishte përballë Maqo Lakrorin, në garën për kreun e PS-së.

Zgjedhja e kryetarit bëhet sipas parimit “një anëtar-një votë” dhe në garën e fundit Rama fitoi me rreth 90% të votave të socialistëve që morën pjesë. Rama erdhi në krye të PS-së pas largimit të Fatos Nanos, i cili dha dorëheqjen edhe si kryetar i partisë, pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-ës. /G.SH/BW/