Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 00:55

Tiranë – Portali LajmeShqip.com publikon vendimin për serinë paszgjedhore në Shqipëri – vendimin e Kolegjit Zgjedhor, sipas të cilit janë 368 kuti shtesë që do të vendosin për Kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës.

Kolegji Zgjedhor, në vendimin e tij prej 21 faqesh, është shprehur se fletët të cilat do të numërohen nuk kanë pasur një status të përcaktuar mirë, ndërkohë që edhe për KZAZ-të përkatëse ka pasur mungesë në procedurë.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i Kolegjit është edhe hetimi i administrativ për 368 qendra votimi në Tiranë. Kjo do të thotë se do të hetohen të gjitha kutitë, për kryetar bashkie, për Këshillin Bashkiak, për Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe për Këshillin e Njësisë Bashkiake.

Kolegji sqaron në vendimin e vet se në hetim do të përfshihen në numërim fletët e hedhura gabim, qofshin këto të pavlefshme, qofshin këto të kontestuara. Si rrjedhojë, pasi që të numërohen këto fletë të kontestuara, rezultati për to do t’i shtohet shumatores aktuale që ka KQZ dhe më pas të realizohet tabela përmbledhëse për Tiranën.

E, si përfundim, Kolegji rrëzoi kërkesën e PS-së për 117 kuti votimi që numëroi KQZ-ja për fletë të kontestuara, me argumentimin për mosakordim shifrash.

Vendim nga kolegji u mor me unanimitet të plotë, më 13 qershor dhe vetëm një orë para përfundimit të afatit zyrtar 3-ditor bëri zbardhjen e draftit.