Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 21:52

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në Rubikon të KTV-së ka folur edhe për qëndrimet e deputetit të partisë së tij, Ilir Deda, që janë në kundërshtim me veprimet e partive opozitare.

Sipas Ymerit, me gjithë kundërthëniet mes Dedës dhe Vetëvendosjes, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, transmeton Koha, Koha net .

“Ilir Deda ka qëndruar në sallë dhe ka votuar pro MSA-së, pasi e ka sqaruar edhe vetë qëndrimin e tij, por kjo nuk do të thotë se ai nuk është pjesë e VV-së. Ilir Deda është deputet i VV dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e saj. Natyrisht, do të ishte mirë që të jemi në qëndrime të njëjta”.

Ai ka sqaruar edhe diskutimin që ka pasur me Dedën në ditën kur partitë opozitarë kanë sulmuar me vezë kryeministrin e Kosovës, për çka deputeti Deda nuk kishte qenë i informuar.

“Siç është parë në pamje, unë diskutova me të për aksionin. Natyrisht, Ilir është shprehur kundër, unë i kam thënë se këtë e diskutojmë në Grupin parlamentar. Normalisht, ai nuk ka qenë në dijeni për aksionin, pasi nuk ka qenë në mbledhjen e Grupit parlamentar, por kur kjo diskutohet në grup, vendos shumica”, tha Ymeri.