Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 14:26

Prishtinë – Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri mohon të ketë në këtë lëvizje persona të tillë që janë pasuruar paligjshëm, përderisa akuzat e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Berat Buzhalam i quan ‘klithje të dëshpëruara të një personi të dëshpëruar’.

Sipas Ymerit, deklaratat e deputetit të PDK-së në seancën e Kuvendit ishin një përpjekje për t’i hedhur hi syve opinionit.

Deputeti Berat Buzhala në fillim të seancës të Kuvendit të Kosovës ka përmendur emra konkretë në Lëvizjen Vetëvendosje, sikur që është Fisnik Ismaili, që ka fituar një tender prej PTK-së, me një kompani greke, Shpend Ahmetin, vëllai i të cilit është larguar nga Doganat e Kosovës, Alma Lamën, e cila ka qenë bashkëpunëtore e Behgjet Pacollit, të cilin sot e akuzon dhe Florin Krasniqin, si biznesmen të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se nëse ata kanë të drejtë të merren me biznese, pse mos të kenë të drejtë edhe të tjerët.

Në këtë mënyrë, Buzhala e ka quajtur hipokrizi protestën e djeshme me moton “Kundër hajnisë”, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka shtuar se të gjitha ato që i di për Trustin i ka bërë publike gjatë kohës sa e ka kryer punën e zyrtarit për marrëdhënie me publikun.