Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 16:57

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka shkruar se “zv. Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, nuk janë mjaftuar me përdorimin e dhunës policore në Kuvendin e Kosovës, as me rrahjet barbare të qytetarëve që protestonin në rrugët e Prishtinës”.

Sipas Ymerit, ata tashmë kanë nisur edhe dhunën psikologjike.

“Po shajnë opozitën, sepse sipas logjikës së tyre moniste secila opozitë e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa qenë e droguar, apo pa qenë në shërbim të armiqve. Po shajnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe po e krahasojnë me Agimin e Artë në Greqi, sepse duan ta izolojnë dhe ta shtypin Lëvizjen tonë”, ka shkruar ndër tjerash Ymeri në Facebook.

Veç kësaj, Ymeri ka shkruar se “këta që bëjnë thirrje për kontroll të deputetëve të opozitës janë të njëjtët që kanë bërë krimet më të mëdha në vendin tonë, në 15 vitet e pasluftës. Kanë uzurpuar e përvetësuar pronën publike, kanë keqtrajtuar e riorientuar paranë publike, kanë zaptuar e privatizuar shtetin”.

Ja postimi i plotë i tij në Facebook:

Dy kapësit më të mëdhenj të pushtetit në vendin tonë, Thaçi dhe Veseli, nuk janë mjaftuar me përdorimin e dhunës policore në Kuvendin e Kosovës, as me rrahjet barbare të qytetarëve që protestonin në rrugët e Prishtinës.

Ata tashmë kanë nisur edhe dhunën psikologjike. Po shajnë opozitën, sepse sipas logjikës së tyre moniste secila opozitë e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa qenë e droguar, apo pa qenë në shërbim të armiqve. Po shajnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe po e krahasojnë me Agimin e Artë në Greqi, sepse duan ta izolojnë dhe ta shtypin Lëvizjen tonë.

Këta që bëjnë thirrje për kontroll të deputetëve të opozitës janë të njëjtët që kanë bërë krimet më të mëdha në vendin tonë, në 15 vitet e pasluftës. Kanë uzurpuar e përvetësuar pronën publike, kanë keqtrajtuar e riorientuar paranë publike, kanë zaptuar e privatizuar shtetin.

Kanë urdhëruar privatizime fiktive, ku kanë fituar dhjetra miliona për vete dhe kanë lënë pa punë masa të mëdha popullore. Kanë shtypur ish-punëtorët, janë tallur me pensionistët, dhe kanë vendosur kontroll nëpër shumë sindikata, duke i bërë ato të pafuqishme.

Kadriu me Hashimin e kanë bërë të njëjtën gjë edhe me pushtetin, me ministritë, me komunat, me shkollat e spitalet. Ku kanë mundur kanë vënë në punë njerëzit e tyre, shpesh pa meritë, brutalë, njerëz që veprojnë vetëm në të mirë të shefit, duke shkatërruar kështu publiken edhe vendin. Kjo na ka lënë pa spitale, pa shkolla, pa shërbim të denjë në administratën publike, dhe pa politika të qëndrueshme zhvillimore.

Prej kohësh Veseli e Thaçi kanë kapur dhe LDK-në, dhe Isa Mustafën e përdorin për të nënshkruar marrëveshjet më të rëndësishme për vendin. Isa Mustafa i cili nuk guxon të hetojë SHIK-un, është ai që shantazhohet me dosjet e panumërta që ka në prokurori.

Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi sot mund të akuzojnë, të kontrollojnë e të dënojnë gjithkënd, për gjithçka. Por nuk është e largët dita kur pasuritë e paligjshme të tyre dhe të të afërmve të tyre do të kontrollohen imtësisht, dhe ata do të jenë para gjykatave, jo me akuza qesharake si ato që ata bëjnë sot, por me akuza të bazuara për shkatërrimin, uzurpimin, vjedhjen e shkaktuar për 15 vite me radhë.(sic)