Lajme Shqip Sunday, 28 July 2013 14:50

Tiranë – Ish-ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, shprehet në një intervistë për gazetën “Shqip”, se shqiptarët nuk patën qetësinë e duhur për të vlerësuar arritjet e PD-së.
“Para se të paraqes se çfarë u bë shumë keq, do të thoja se vlera më e fundit e qeverisjes së PD-së ishte edhe investimi maksimal i zotit Berisha për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por ajo që po shohim nga hapja e kutive në Lezhë dhe që duket qartë se do të pasqyrohet edhe në Shkodër, dëshmon se Rama dhe ekipi i tij, fatkeqësisht, kanë rikthyer metodat e përdorimit të elementëve kriminalë, që në Shqipëri u panë dhunshëm në zgjedhjet e 1997-s. Lidhur me problemet që PD-ja i adresoi shumë keq, unë do të rendisja si më kryesorin faktin se qeverisja qendrore në nivel lokal ka prezantuar dukshëm jo vetëm probleme të korrupsionit, por edhe të arrogancës, e shprehur nga drejtues që kishin ombrella sigurie nga shefat e tyre në Tiranë. Kjo duket se i ka mërzitur qytetarët shqiptarë deri në atë masë sa ata të mos kishin qetësinë e duhur për të vlerësuar arritjet e PD-së”, shprehet ai.
Në lidhje me akuzat për manipulimin e garës së zgjedhjes së kreut të PD-së, Xhaferraj thotë se fitorja e Bashës ishte plebishtare.
“Kjo mbetet një deklaratë e kandidatit Olldashi, por votimi plebishitar i anëtarësisë së Partisë Demokratike është një evidencë e qartë për mbështetjen brenda Partisë Demokratike për kryetarin e ri të saj. Pra, votimi plebishitar ka eliminuar edhe të gjitha hapësirat, apo dëshirat për çarje brenda PD-së”, thotë ai.