Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 12:36

Tiranë – Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, përshëndeti sot vendimin e mbrëmshëm të Kolegjit Zgjedhor, duke e konsideruar një vendim të mirë, i cili jep “mundësinë për të rishqyrtuar të gjitha votat e qytetarëve në mënyrë të njëtrajtshme dhe të barabartë”.

Ambasadori Wollfarth u shpreh për mediat nga qyteti i Korçës se “Kolegji Zgjedhor mori vendimin për rishqyrtimin edhe një herë të përmbajtjes së kutive. Mendoj që është një vendim i mirë për të rishqyrtuar dhe trajtuar në mënyrë të njëjtë të gjitha votat e hedhura nga qytetarët. Mendoj se është një shqyrtim i barabartë dhe i njëtrajtshëm i të gjithë votave të hedhura nga qytetarët për të parë se cili ishte vullneti i qytetarëve në ditën e votimit, 8 maj”.

Mbrëmjen e djeshme Kolegji Zgjedhor mori vendimin në të cilin urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të numërojë të gjitha votat e kontestuara në të gjitha kutitë e votimit, për kryetarin e bashkisë Tiranë, këshillin e bashkisë, por edhe të minibashkive.

Mbi bazën e këtij vendimi do të hapen të gjitha kutitë, ku ka shënime nga ana e komisionerëve për fletë të kontestuara dhe rezultati i tyre do t`i bashkangjitet rezultatit të deritanishëm që ka Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Ambasadori i OSBE-së, në ditën e dytë të vizitës së tij në juglindje të vendit, ka pasur një takim me kreun e bashkisë së Korçës, Niko Peleshi.

Në takim midis të tjerash është folur për mundësitë dhe potencialet ekonomike që ka rajoni i Korçës si dhe forcimin e demokracisë lokale dhe reformave në këtë drejtim.