Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 18:23

Tiranë – Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, tha sot nga Pogradeci, se procedurat paszgjedhore në vend duhet të kryhen në përputhje të plotë me ligjin, duke shtuar se hartimi i reformave është i domosdoshëm në mënyrë që situata të mos përsëritet në të ardhmen.

“Procedurat paszgjedhore të kryhen sipas ligjit. Procesi zgjedhor në Shqipëri ishte sipas Kushtetutës, ndaj edhe zgjati. Është e nevojshme që në të ardhmen të bëhen reforma”, tha ambasadori i OSBE-së që ndodhej në qytetin juglindor në një takim me disa OJF.

Ai tha gjithashtu se është e rëndësishme që të respektohet kuadri ligjor në vend dhe që “para se të arrihet në një konkluzion për zgjedhjet e 8 majit, të pritet raporti i OSBE/ODIHR”. Wollfarth deklaroi se raporti përfundimtar i këtij organizmi do të jetë edhe vlerësimi real i procesit zgjedhor.

Wollfarth tha se gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të marrin vendime duke u bazuar vetëm te Kushtetuta. “E rëndësishme është që proçesi të jetë i saktë, si dhe të respektohet kuadri ligjor në Shqipëri dhe Kodi zgjedhor”, tha ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth.