Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 18:33

Merdare- Ish ambasadori William Walker, i cili ishte shef i Misionit vëzhgues të OSBE në Kosovë në kohën e luftës, në një deklaratë për median para pak çastesh, nga Merdara tha se njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, por pa dhunë.

Edhe në Merdare, edhe te Dheu i Bardhë, situata vazhdon të jetë e qetë. Sipas njoftimeve, në të dy vendkalimet kufitare atje nuk ka hyrje të mauneve me mallra nga Serbia, për aq kohë sa protesta vazhdon.

Ai tha se ka ardhur që të shohë protestat për bllokimin e mallrave serbe në Kosovë, të cilat në javën e kaluar rezultuan me përplasje mes policisë dhe protestuesve.

“Kam ardhur sot për të parë protestat, për të parë reagimin e policisë ndaj protestuesve. I kam parë raportet për protestat e javës së kaluar ku qeveria tha se policia ka vepruar në mënyrë proporcionale, por Amnisty International dhe disa OJQ-të të tjera kanë mendime të tjera se çfarë ka ndodhur. Kështu që kam dëshiruar të vij dhe ta shoh vetë se çka po ndodh.”, tha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Walker.

Walker nuk ka komentuar vendimin e Vetëvendosjes që të organizojë protesta në rrugë për bllokimin e mallrave serbe, por është shfaqur skeptik në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës karshi Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se përderisa protesta është paqësore, nuk sheh arsye pse duhet kundërshtuar ajo.

“Kështu po ndodh në shumë pjesë të botës, bota po i mirëpret protestat publike në Siri, Libi, Egjipt, edhe këtu ka protesta, dhe nuk shoh pse duhet kundërshtuar këto protesta, përderisa ato janë paqësore”, tha Walker. (LajmeShqip.com)