Lajme Shqip Monday, 24 June 2013 15:24

 

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate, vlerëson se presidentja e Kosovës dhe kryeministri, po u binden vendimeve të zyrtarëve serbë. Vetëvendosje konsideron se presidentja, nuk po i shpallë zgjedhjet në konsultim me partitë politike, megjithëse kjo është e përcakuar me ligj.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se një prej përgjegjësive kryesore të Presidentes së Republikës së Kosovës është shpallja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë. Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë, neni 4.1 saktëson edhe më tutje duke përcaktuar se “Pas konsultimit me partitë politike, Kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale”, thuhet në komunikatën e VV-së.
“Pas konsultimit me partitë politike, Presidentja Jahjaga nuk i shpalli zgjedhjet. Zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2013 i shpalli Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç. Ai tregoi se me Thaçin ishin dakorduar që zgjedhjet të mbahen me 3 nëntor të këtij viti. Tash Jahjagës i ka mbetur që të zbatoi këtë vendim të Daçiçit ditëve në vijim, përkundër dëshirës për një datë tjetër pothuajse nga të gjitha subjektet politike.
Dje, në Beograd, Zëvendëskryeministri i Serbisë, Vuçiç deklaroi se pala serbe tashmë ka emëruar komandantin e Policisë për veriun e Kosovës. Në fakt, ata kishin dhënë dy emra dhe Brukseli kishte pranuar njërin prej tyre dhe për Vuçiçin tashmë ky person është i emëruar. Pritet që gjatë ditës së sotme, drejtori i policisë, Shpend Maxhuni ta zbatoj këtë vendim të Vuçiçit”, thuhet më tutje.
“Po ashtu, tashmë është konfirmuar se qytetarët e Serbisë do të mund të votojnë në të ardhmen me dokumente të lëshuara nga shteti serb. Kur kësaj ja shtojmë edhe faktin se me marrëveshjet e mëhershme të negociatores Tahiri, Kosova ka pranuar që t’i marrë kopjet e librave amzë nga Serbia, dhe duke ditur që origjinalet janë në Serbi, tanimë Serbia do ta kontrollojë edhe numrin e votuesve që do të ketë ndikim të madh edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, vlerëson VV.
“Negociatat e dy viteve të fundit e kanë bërë Serbinë faktor vendimmarrës, Qeverinë e Kosovës zbatuese të vendimeve të Serbisë, ndërsa Kosovën të varur nga Serbia. Tashmë Kosova nuk mund të merr pothuajse asnjë vendim sovran pa pëlqimin e Serbisë. Pas negociatave të vazhdueshme, Kosova tanimë nuk mund të marrë vendime për Kushtetutën, Buxhetin, ligjet bazike, zgjedhjet, ekonominë, energjinë, telekomunikacionin, etj., pa pëlqimin e Qeverisë së Serbisë. Me këto negociata, Qeveria e Kosovës në krye me Thaçin i ka ndihmuar me përpikmëri Qeverisë së Serbisë në zbatimin e planit të tyre për Kosovën, i cili ka si synim, “Kosova të ketë më shumë se autonomi e më pak se pavarësi”.
Ditëve në vijim, po përgatitet edhe njëherë ratifikimi i kësaj varësie të Kosovës nga Serbia. I bëjmë edhe njëherë thirrje të gjithë qytetarëve të jenë në gjendje gatishmërie për ta kundërshtuar këtë proces shumë të dëmshëm për vendin tonë. Marrëveshja nuk bën të kalojë”, përfundon komunikata e Vetëvendosjes.