Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 15:00

Prishtinë – Pas marrjes së lajmit se deputetja e Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi, ndërroi jetë, me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje u shty interpelanca e paraparë për sot lidhur me autostradën Morinë-Merdarë.

Lëvizja Vetëvendosje iu shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve, të afërmve e bashkëpunëtorëve përgjatë aktivitetit të saj të gjatë politik.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një kumtese për media, kërkoi që interpelanca të shtyhet për një ditë, për të martën ose për seancën e ardhshme plenare,  të enjten. Por, Qeveria e Kosovës ishte ajo që, sipas avazit të vjetër, doli me makinacionet e saj me qëllim të ikjes nga interpelanca, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes.

Fillimisht Kryeministri Thaçi paralajmëroi se është i gatshëm të ishte i pranishëm në interpelancë, vetëm dhe vetëm të mëkurën, pra pikërisht në ditën kur është caktuar të mbahet protesta e 22 qershorit, e paralajmëruar një javë më herët.

Kjo do të thotë që Thaçi jo vetëm që po i ikë përgjegjësisë, por ai po do edhe të na e pengojë demonstratën. VV qe e gatshme për interpelancë në secilën ditë, përveç të mërkurës, për shkak të protestës të caktuar tashmë. Kurse Qeveria nuk ishte e gatshme për asnjë ditë tjetër përveç të mërkurës. Kjo tregon qartë se Thaçi jo vetëm që nuk e ka mendjen te llogaridhënia, por madje ambiciet e tij për pushtet kalojnë edhe nëpërmjet mohimit të lirisë së protestës, thuhet në kumtesë.

Lëvizja Vetëvendosje, më 30 maj e pat dorëzuar kërkesën për interpelancë. Në bazë të pikave 5 dhe 6 të nenit 44 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, interpelanca është dashur të mbahet më së largu 16 ditë pas kësaj dite. Kjo do të thotë që interpelanca është dashur të mbahet qysh javën që shkoi. Sipas tyre, qeveria ishte ajo që e zvarriste datën e mbajtjes sepse s’e dëshironte fare këtë interpelancë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në përgjithësi duhet të jetë më vigjilent dhe të mos e pranojë praktikën që qeveria ta përcaktojë interpelancën. Nëse vërtet jemi republikë parlamentare, atëherë Kuvendi është ai i cili, sipas obligimeve ligjore të parapara edhe me rregullore, duhet të vendosë interpelancë, kurse Qeveria është ajo e cila duhet të përgjigjet. Përndryshe, kështu, siç po praktikohet, pra që Qeveria ta kontrollojë Kuvendin, ne po kultivojmë praktika antidemokratike, të cilat janë kundër interesit të Kosovës si shtet dhe qytetarëve të saj, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes.