Lajme Shqip e Enjëte, 27 Tetor 2011 13:06

Prishtinë – Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, në interpelancën e kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se operacioni për vënien e rendit dhe ligjit në veri ka qenë i suksesshëm dhe për herë të parë, sipas tij, qytetarët e asaj pjese kanë ndjerë dorën e shtetit të Kosovës.

Interpelanca e kryeministrit Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës, ka nisur me akuza nga paraqitësit e kërkesës Lëvizja Vetëvendosje. Ata kanë kërkuar përgjegjësi nga kryeministri për situatën e krijuar në veri të vendit.  Kryeministri Thaçi ka shpjeguar para deputeteve suksesin që ka arritur Kosova pas datës 25 korrik kur edhe është intervenuar në veri për vënien e rendit dhe ligjit.

Thaçi, me këtë rast, ka thënë se pjesa veriore dorën e shtetit e ka ndjerë për herë të parë në vitin 2008, ndërkohë që, sipas tij, kthesa vendimtare për largimin e strukturave paralele ka ndodhur më 25 korrik. Kryeministri i Kosovës madje i ka siguruar deputetët dhe qytetarët se nuk do të ketë kthim prapa. Thaçi fajësoi UNMIK-un për gjendjen në veri, që, sipas tij, ka ndikuar në ndarjen e qytetarëve nga pjesa tjetër e Kosovës.

Ndërsa, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, fajtorin kryesor për pjesën veriore dhe që nga paslufta, e ka identifikuar kryeministrin Hashim Thaçi.

Duke kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Thaçi për gjendjen në veri, ai tha se është e rëndësishme që ai të japë përgjegjësi për këta tre muaj, dhe po ashtu prej vitit 1999, dhe të tregojë pse atëherë është dhënë urdhër që UÇK-në, që të tërhiqet nga veriu.

Edhe partitë tjera opozitare, LDK e AAK, kanë dhënë kritikat e tyre për neglizhencë të qeverisë për çështjen e pjesës veriore.

Lëvizja Vetëvendosje, në fund të kësaj seance, ku kryeministri Thaçi është në interpelancë për veriun, do të paraqesë një mocion katërpikësh për miratim. (LajmeShqip.com)