Lajme Shqip Tuesday, 25 June 2013 15:13

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që ratifikimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë të pritet me demonstrata.

Lideri dhe nënkryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, kanë thirrur popullin për të kundërshtuar marrëveshjen Thaçi – Daçiç, në demonstratën që do të mbahet më 27 qershor para Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Një Qeveri, e cila edhe nga Freedom House është cilësuar si regjim gjysmë-autoritar kurrsesi nuk do të duhej të flasë në emrin tonë dhe të marrë vendime për neve”, ka thënë pos tjerash Kurti.

Ndërkohë, Ahmeti ka ftuar qytetarët të dalin në kundërshtim të marrëveshjes. “Edhe njëherë ju bëjmë thirrje gjithë qytetarëve, shoqërisë civile dhe intelektualëve në Kosovë, që të dalin në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje sepse tani po rrezikohet jo vetëm e ardhmja jonë por edhe e gjeneratave të ardhshme”, ka thënë Ahmeti.