Lajme Shqip e Martë, 17 Korrik 2012 07:00

Prishtinë – Letër e hapur drejtuar kompanive “Çalik” dhe “Limak”

Lëvizja VETËVENDOSJE! është alarmuar nga zhvillimet e fundit lidhur me privatizimin e rrjetit të distribucionit dhe shpërndarjes së KEK-ut. Distribucioni i energjisë elektrike, ku përfshihet rrjeti por edhe tregu i saj, janë pasuri publike e Kosovës. KEK-u është një ndërmarrje publike e ndërtuar dhe e mirëmbajtur nga populli i Kosovës përgjatë 50 viteve të fundit. Rrjeti i distribucionit është një monopol natyror që nuk e lejon konkurrencën, si i tillë nuk mund të vendoset në duart e interesave private. Për ndërtimin, mirëmbajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e kësaj prone publike kanë paguar tatime, kanë dhënë kontribute të drejtpërdrejta, kanë derdhur djersën dhe kanë dhënë mundin dhe sakrificën e tyre me qindra mijëra qytetarë të Kosovës. Kjo ndërmarrje duhet të mbetet publike sepse furnizimi me energji elektrike është kusht themelor për mirëqenien e qytetarit dhe të shoqërisë. Rrjedhimisht, përbën një të drejtë që secili qytetar duhet ta gëzojë dhe një mjet tepër të rëndësishëm për politikat sociale dhe zhvillimore ekonomike të shtetit. Drejtësinë dhe domosdoshmërinë nuk mundet ta përmbushë tregu, por vetëm institucionet publike shtetërore të cilat janë të popullit dhe i japin atij llogari. Kompanitë tuaja përfaqësojnë vetëm interesat tuaja private, në këtë rast monopoliste, dhe jo interesat e popullit të Kosovës. Prandaj dhe ne do bëjmë të pamundurën që ky privatizim të ndalet.

Procesi i deritashëm i privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike është një proces krejtësisht jo legjitim dhe jo demokratike, i cili udhëhiqet nga një qeveri jo legjitime dhe të zgjedhur në një mënyrë jo demokratike. Kjo Qeveri ka ardhur në pushtet duke e deformuar votën e qytetarit. Sipas raportit të ENEMO[1], 38% të votave të qytetarëve gjatë procesit të fundit zgjedhor të vitit 2010 kanë qenë të vjedhura, keqpërdorura dhe dhunuara kryesisht nga partia në pushtet. Ky fakt e bën Hashim Thaçin kryeministër të votës së vjedhur e jo të vullnetit të qytetarëve. I tërë procesi i zhvilluar deri tash për privatizimin e KKDFE-së është zhvilluar prapa shpinës së publikut, dhe nuk ka pasur asnjë legjimitet madje as formalo-institucional. Vendimi i qeverisë për privatizim i arritur në vitin 2008 është vendim që i paraprinë themelimit të kompanisë, ndërkohë që miratimi që Kuvendi i Republikës së Kosovës i bën këtij privatizimi është vetëm në parim, pa u themelur kompania dhe madje pa e pasur as idenë më të vogël se çka do të shitet, kur e aq më pak sa do të shitet. Të dyja këto vendime janë nxjerrë në vitin 2008, pra katër vite para momentin kur ju jeni shpallur fitues të tenderit. Edhe procesi i tenderimit ngre shumë pyetje rreth legjitimitetit të prokurimit, duke qenë se realisht ky privatizim ka qenë privatizim një burimor, me kompaninë e dytë pjesëmarrëse në proces të painteresuar fare për garë.  

E drejta për qasje në energji elektrike cënohet nga ky proces privatizimi i udhëhequr nga qeveria Thaçi, në llumin e së cilës tashmë po notoni edhe ju. Privatizimi nuk ka rezultuar as me rendiment më të lartë e as më efikas për ish-ndërmarrjet publike të Kosovës të cilat janë shitur me çmime qesharake dhe ofenduese. Nga procesi i privatizimit në Kosovë kanë humbur vendet e tyre të punës mbi 70,000 punëtorë. Nga i njëjti proces, sot me mijëra punëtorë punojnë në kushte të mjerueshme të punës, me orare të stërzgjatura, me kontrata të shkurtra dhe me rroga minimale, ndërkohë që llogaritë personale të pushtetarëve që kanë drejtuar këto procese kanë ardhur duke u fryrë vazhdimisht. Me privatizimin e KEK-ut qeveria Thaçi po kryen krimin ekonomik të radhës.

Ju bëjmë me dije se ky privatizim nuk përkrahet nga shumica e aktorëve të prekur nga ky proces. Privatizimi i distribucionit po kundërshtohet sot nga punëtorët, organizatat e shoqërisë civile, subjekte të ndryshme politike, dhe mbi të gjitha ky proces po kundërshtohet nga pronari i vetëm legjitim i kësaj prone publike: populli i Kosovës. Fakti që ju keni pranuar të bëheni pjesë e aferave të qeverisë Thaçi, ju bën ju bashkëfajtorë të këtij krimi ekonomik, për të cilin do të mbaheni përgjegjës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, si forcë politike e organizuar në një aleancë të gjerë me qytetarët, do ta hetojë këtë proces, si nga ana proceduriale, ashtu edhe nga ana politike – me të ardhur në pushtet. Qëllimi ynë do të jetë zhbërja e këtij privatizimit, në rast se ky ndodh, por edhe e dënimit ligjor të cilësdo shkelje, padrejtësie, dëmtimi apo vjedhje që i bëhet popullit të Kosovës dhe aseteve e pasurive strategjike që publiku zotëron.

Pas kësaj letre publike, si dhe pas reagimeve të sindikatave dhe shoqërisë civile, ju nuk mund të luani më rolin e një aktori të painformuar mbi këtë proces të padrejtë privatizimi. Ka ardhur momenti që ju të mendoheni mirë para se fatin e kapitalit tuaj ta lidhni me fatin politik të qeverisë kriminale Thaçi dhe në një projekt i cili kundërshtohet nga shumica e popullit të Kosovës.

Prandaj, me këtë letër ju bëjmë thirrje të tërhiqeni nga ky proces. Nëse ju nuk tërhiqeni nga ky proces, dhe vendosni të vazhdoni më tej me shfrytëzimin e punëtorëve, me shpronësimin e dhunshëm të popullit dhe me cënimin e të drejtës sonë për zhvillim, ne nuk kemi për t’ju kursyer në përpjekjen tonë për shtet të së drejtës. (LajmeShqip.com)