Lajme Shqip Saturday, 15 June 2013 12:18

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje pritet ta dërgojë në Kushtetuese, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes, para se të kalojë në Kuvend. Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu-Krasniqi tha për Radio Kosovën se ka bazë ligjore për një gjë të tillë, prandaj ata presin përkrahja e Komisionit për legjislacion dhe Kryesisë së Kuvendit për një gjë të tillë. “Ne si subjekt politik do të provojmë në vazhdimësi që ta marrim këtë përkrahje në mënyrë që Kuvendi si institucion ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese paraprakisht. Ndërsa, nëse kjo nuk ndodhë, nëse ratifikohet ne me nënshkrimin e 10 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi ajo. Dërgimi i marrëveshjes në Gjykatë Kushtetuese sipas Shpend Kursani nga instituti KIPRED, është mjaft i rëndësishëm. Por, sipas tij, duhet të kihet kujdes se me çfarë pyetje i drejtohet këtij institucioni. Ai tha se nëse kërkohet sqarim nëse kjo marrëveshje është konform Kushtetutes, përgjigjja do të jetë po, nëse dy të tretat e votojnë kështu. “Kështu që duke marrë parasysh që edhe Kushtetuta e Kosovës mund të ndërrohet me 2 të tretat e deputetëve, atëherë edhe aprovimi i marrëveshjes me 2 të tretat e deputetëve në një farë mënyrë edhe legjitimon edhe e legaizon këtë marrëveshje. Mirëpo nëse Vetëvendosja i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me pyetjen se a konsiston marrëveshja me Serbinë një marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë do të ishte një pyetje shumë më e drejtë pasi kjo marrëveshje nuk është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë nuk mund të aporvohej në Kuvend, ashtu siç po mundohen”, tha ai. Kurse profesori i negociimit ndërkombëtarë, Valon Murtezaj konsideron se është e drejtë e secilit në bazë të demokracisë që të merr një iniciattivë të tillë. “Kështu që cka do që është brenda këtij kuadri ligjor, qoftë dërgimi në Kushtetuese apo mos dërgimi pastaj edhe vendimet e Kushtetutes të gjitha janë shumë normale në një shtet demokratik. Kështu që ne nuk duhet t’i paragjykojmë ato. Nëse ka hapësira për shfrytëzimin e rrugëve juridike, atëherë secila palë ka të drejtë që t’i ndërmarrë ato”, theksoi ai për Radio Kosovën. Ndryshe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të hënën pritet të jetë pjesë e debatit në Komisionin për legjislacion me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve për tu dërguar në Kuvend për votim.