Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 16:30

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se efektet e dëmshme të Marrëveshjes me Serbinë, kanë prodhuar menjëherë efektin saj, duke thënë se emërimi i Gjuriqit si komandant i policisë në veri, është efekti i parë, pastaj shpallja e zgjedhjeve locale që sipas VV-së u bë nga Daçiqi dhe efekti i tretë amnistia për kriminelët. Madje ata kanë hedhur akuza edhe në drejtim të partive opozitare LDK dhe AAK, duke thënë se po ndihmojnë projektin politik të kryeministrit Hashim Thaçi.
“Efekti i parë paraprak ishte emërimi i komandantit rajonal Nenad Gjuriç, një polici që i kishte shërbyer me zell edhe Millosheviçit dhe klikës së tij të dhunshme e aparatit të tij të dhunshëm shtetëror, e po ashtu edhe Veselinoviçit, pra një kontrabandisti tash shumë të njohur që e ka dëmtuar rëndë edhe ekonominë edhe shtetin e Kosovës. Efekti i dytë paraprak ishte shpallja e zgjedhjeve lokale që u bë nga ana e Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, e që ende nuk u bë nga asnjë post zyrtar shtetëror në Kosovë.Efekti i parë i menjëhershëm i kësaj marrëveshjeje shumë të dëmshme është Ligji për Amnistinë që është sjellë tashmë në Kuvend dhe do të trajtohet të hënën në Komisionin për Legjislacion. Ky ligj është problematik në tri rrafshe kryesore, që e bëjnë këtë jo ligj normal për amnisti dhe që e bënë tërë sistemin juridik të Kosovës një sistem anormal”, ka thënë Visar Ymeri nga Vetëvendosje. 
Ndërkaq Dardan Molliqaj ka kritikuar dy partitë LDK-në dhe AAK-në, duke thënë se po mbështesin projektin politik të Hashim Thaçit. 
“LDK dhe AAK janë dy subjekte që janë duke e mundësuar një pushtet që tashmë edhe nga organizatat ndërkombëtare është quajtur pushtet gjysme-autoritar. Kur pushtet janë autoritare, gjithë pjesa tjetër që është opozitë nuk ka kuptim të jetë pak, herë shumë e herë hiç, me këtë pushtet. Pra, duhet të ketë pozicionim të qartë e të prerë karshi pushtetit autoritar siç është rasti i Kosovës”, ka thënë ai.
Molliqaj madje ka hedhur akuza ndaj AAK-së, duke thënë se krerët e saj janë të lidhur drejtpërdrejt me krimin.

“Deklarimet e fundit të AAK-së që veprimet e Vetëvendosjes ia kanë qitë vendit hijen e zezë, janë të shpërfillshme, duke pas parasysh që AAK është një subjekt politik, krerët e të cilit janë të lidhur drejtpërdrejt me figura të krimit të organizuar jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Është subjekti politik i cili të paktën në komunat që qeverisë në Dukagjin, i qet çdo ditë çdo qytetari dhe çdo biznesi haraç. Është subjekti politik i cili është i lidhur direkt me fajdet që i jepen qytetarëve dhe e rrezikojnë jetën e tyre në Dukagjin. Është subjekti, drejtuesit e të cilit që nga kryetari e te poshtë janë milionerë dhe asnjë herë nuk kanë pas guximi ta deklarojnë prejardhjen e asaj pasurie. Një subjekt i tillë, i haraçit e i fajdeve, me na treguar se cila është demokracia, çka është hije e keqe e çka e mirë për Kosovën, për Vetëvendosjen është e papranueshme dhe rrjedhimisht e kundërshtueshme fuqishëm nga ne”, ka thënë veç tjerash Molliqaj.