Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 19:45

Viktor Gushi, 37 vjeçari i arrestuar sot pasdite si autor i vrasjes së punonjëses së NBG Bank dy ditë më parë në Tiranë, ka pranuar autorësinë e ngjarjes.

Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Bernard Çaushaj. Zyrtari i lartë i policisë pohoi se i arrestuari është i përfshirë në aktivitet kriminal brenda dhe jashtë Tiranës.

Sipas Çaushajt, në banesen e 37 vjeçarit Gushi në rrugën “Don Bosko”,  ku ai qëndronte i vetëm prej 5 vitesh, janë gjetur  prova të shumta materiale që hedhin dritë mbi aktivitetin e tij kriminal, kryesisht grabitje, si doreza, maska, etj.

Arrestimi i 37 vjeçarit nga Gjirokastra erdhi pas një hetimi intensiv të policisë së Tiranes dhe prokurorisë së rrethit si dhe administrimit të një sërë informacionesh si dhe materialesh hetimore, ndër to foton e të dyshuarit.

Fotoja e tij është siguruar nga kamera e sigurisë së një subjekti tregtar, në afërsi të filialit të bankës, ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Sipas regjistrimeve, personi në foto ishte i vetmi duke vrapuar pak pasi kishte ndodhur ngjarja në ketë zonë.

Viktor Gushi akuzohet se është autor në tentativen e vjedhjes me arme të filialit të NBG Bank pranë sheshit “Shtraus”, në Tiranë, të martën, me pasojë plagosjen e rojes se bankës, Skënder Elmazi si dhe vrasjen e  punonjëses se bankës, Leonora Kaloci.

Por, ai dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje të renda kriminale, një nga te cilat vjedhja me armë e argjendarisë, me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinani, në Tiranë, më datë 21 Tetor 2011.

Nga zhvillimi i deritanishëm i hetimeve, rezulton se nga ekzaminimi kriminalistik – balistik i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, arma e përdorur në ngjarjen e pardjeshme, është përdorur edhe në vjedhjen me armë të argjendarisë me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinani.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, duke vleresuar perkushtimin e grupit hetimor dhe prokurorisë për kurorëzimin e operacionit për kapjen e 37 vjeçarit, theksoi se po punohet intensivisht për dokumentimin e veprave te tjera penale që mendohet se ai ka realizuar.

*************************************

Një operacion i Policisë së kryeqytetit mbasditen e sotme, në rrugën “Don Bosko”,  çoi në arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së punonjëse së bankës, dy ditë më parë në Tiranë, kur gjatë një tentative për vjedhje me armë të filialit të NGB, mbeti i plagosur roja i Bankës, 53 vjeçari Skënder Elmazi, ndërsa u plagos rëndë, duke gjetur vdekjen më pas në spital, punonjësja e Bankës, 45 vjeçarja Leonora Kaloci.

Sipas Policisë, i dyshuari është shtetasi Viktor Gushi. Gushi gjatë ditës së sotme ka qënë nën survejim dhe dyshohet se do të kryente grabitje të tjera. Sipas të njëjtave burime, ky shtetas kishte precedentë penalë në Greqi, për veprat penale të grabitjes dhe tregtisë së lëndëve narkotike. 

Autori i dyshuar i vrasjes së 45 vjeçares Kaloçi, i shoqëruar nga forca të shumta të uniformave blu, të përfshira në operacionin e sotëm, mësohet se ndodhet në ambjentet e Policisë. Operacioni u përshëndet përmes një deklarate për shtyp edhe nga Kryeministri, Sali Berisha. 

“Suksesi i këtyre operacioneve, theksoi Kryeministri Berisha, “është përgjigjia më e vendosur ndaj krimit dhe autorëve të tij”

Dy ditë më parë, kur ndodhi ngjarja, në një komunikatë për mediat, Policia e Tiranës bëri të ditur  se do të shpërblente me 10 mijë euro personin që do të jepte informacione që të çonin në identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes, duke ruajtur anonimatin e tij.