Lajme Shqip Saturday, 10 September 2011 12:29

Vlorë (PLOTESUAR 16:00) – Sot u zhvillua ceremonia mortore për përcjelljen për në banesën e fundit të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili humbi jetën një ditë më parë gjatë shpërthimit të autoveturës së tij.

Ceremonitë nisën rreth orës 11:00 me homazhet që u zhvilluan në mjediset e Teatrit “Petro Marko”, ku merrnin pjesë qindra qytetarë, miq, të afërm, kolegë, funksionarë qendrorë e lokalë.

Bënë homazhe dhe vendosën kurora Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, deputetë, funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit, Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Sergio Strozzi etj.

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi për median se, “vetëm 24 orë kanë kaluar nga vrasja e Konomit, por drejtësia shqiptare duhet të bëjë të pamundurën që të mos kalojnë 24 ditë, 24 muaj apo më shumë, deri në gjetjen e autorëve të krimit”.

“Shpresojmë që krimi të mos e sfidojë drejtësinë shqiptare”, shtoi më tej ai. Spahiu e cilësoi vrasjen e Konomit si një mesazh mafioz. “Ishte një mesazh mafioz, i cili drejtpërdrejtë u adresua në pushtetin gjyqësor dhe në sistemin e drejtësisë”, evidentoi ai.

Ndërkohë, nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u shpreh se, “me vrasjen e Konomit u godit qyteti i Vlorës, qytetarët ndihen të frikësuar dhe të pasigurtë”.

Pas homazheve, trupi i Konomit u përcoll për në banesën e fundit në varrezat publike të qytetit.

****************************

Vlorë – Rreth orës 11:00 janë mbajtur homazhet në nderim të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili humbi jetën një ditë më parë nga një atentat me eksploziv, që ishte vendosur ne makinën e tij.

Homazhet u zhvilluan në Teatrin “Petro Marko”, ku po morën pjesë qytetarë, miq, të afërm, kolegë, funksionarë qendrorë e lokalë.

Pas homazheve, trupi i Konomit do të përcillet për në banesën e fundit. Në homazhe kanë marrë pjesë Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika etj.